Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Milva Ekonomi, në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, foli për skemën e pensioneve.
Ajo shpjegoi se parashikimi për pensionet deri në 2029 është i tillë; për pensionin urban të plotë do të jetë 40 000, pensioni urban i pjesshëm do të jetë 22 000, pensioni rural i plotë 18 000, pensioni familjar 18 000 dhe pensioni i invaliditetit 30 000. Gjithashtu shtoi se se bonusi për pensionistët këtë fundvit do të vijojë nga 10 deri në 15 mijë lekë.
“Ne miratuam një akt normativ dhe në aktin normativ që miratuam në Parlament patëm në vëmendje sa i takon pensionistëve që t’i japim bonus në fundin e vitit përtej indeksimit që bëhet çdo vit. Që do të jetë 10 deri në 15 mijë lekë. Pra kjo do të ndodhi në prag të fundit të vitit. Pas kësaj ne janar fillon reforma e pensioneve që lidhet me premtimin që bëmë edhe në programin qeverisës. Thamë që do ta çojmë pensionin mesatar në qytetar në qytet deri në fund të mandatit në 40 mijë lekë të reja. Në Shqipëri pensionet janë të disa kategorive. Projeksionet janë bërë që duke filluar nga 2026 deri në 2029 pensionet mesatare të shkojnë në 40 mijë lekë të reja për ato të plota urbane. Përveç kësaj indeksimi do të jetë automatik. Por financat tona duhet të forcohen që ne të bëjmë këtë gjë. Por kjo tregon se sot ne kemi forcuar kulturën tonë financiare tatimore. Burimet e ekonomisë tregojnë se këtë mund ta arrijmë…Në Ministrinë e Financave është krijuar një strategji për grumbullimin e të ardhurave në periudha afatmesme dhe strategjia diskutohet me shumë grupe interesi dhe mbi të gjitha mbikëqyret nga dy organizata që na mbikëqyrin ne, FMN dhe Bashkimi Europian. Dhe të gjitha modelet që parashikojnë rritje janë modele që diskutohen me këto ekspertë ndërkombëtarë”, tha ajo.
/abcnews.al/

