Për ekspertin e ekonomisë Ardian Civici shtimi i kredidhënies është një tregues pozitiv dhe lidhet me besimin në ekonomi. Civici tha më tej se më shumë kredi janë dhënë për blerje banesash dhe mbetet sërish një pjesë e rëndësishme ku kreditë janë orientuar sidomos me zhvillimin e turizmit dhe kërkesat për njësi akomoduese.
“Është një tregues pozitiv sepse shtimi i kredidhënies lidhet me besimin në ekonomi dhe me një lloj garancie që kanë qoftë individë apo biznese që investimet do jenë të suksesshme. Shifrat e fundit janë pozitive.
Tregu i banesave është një treg që po zgjerohet sepse vetë sektori i ndërtimit po zgjerohet dhe është bërë një lokomotivë. Kur bëhet fjalë për kreditë tregu i banesave rezulton të jetë ndër vendet e para.
Ngelet një nga sektorët ku një pjesë e rëndësishme e kredive të reja është orientuar. Edhe turizmi, kalimi i 11.5 milionë dhe pritshmëritë që të jetë numri më i madh, nënkupton një hap më serioz. Qoftë individët, qoftë bizneset kanë reaguar duke marrë kredi për të përmirësuar këtë ofertë që të shkojnë në të njëjtin hap me rritjen e kërkesës. Edhe bankat janë më të predispozuar për këtë lloj kredie. Tre, katër faktorë që ndikojnë në kredi nga më kryesorët është besimi në sistemin bankar ku është një sistem në ekspansion që kreditë janë më të sigurta.” / abcnews.al