“Më rrahu policia e Skraparit”, i riu del duke çaluar nga gjykata, i ati: Mos kij frikë, je i pafajshëm

schedule13:49 - 14 Gusht, 2021

schedule 13:49 - 14 Gusht, 2021

Policia arrestoi tre ditë më parë Lulzim Shallarin në fshatin Grevë të Skraparit pasi në një zonë të pyllëzuar pranë fshatit u gjetën disa rrënjë kanabis sativa. Shallari u arrestua me dyshimin se ishte ai personi që mbolli kanabisin.

Mëngjesin e sotëm ai doli para gjykatësve për të marrë masën e sigurisë. Pas masës së sigurisë “arrest me burg”, Shallai doli nga gjykata për t’u rikthyer në paraburgim duke çaluar, ndërsa këmbën e djathtë e kishte të fashuar.

I pyetur nga gazetarët e pranishëm se kush e dhunoi, ai u shpreh nga brenda furgonit të policisë se kishin qenë policët në Skrapar që ushtruan dhunë ndaj tij duke shtuar se i kishin bërë presion edhe  që të pranonte autorësinë e mbjelljes së kanabisit në komisariat.

I ndodhur aty pranë, babai i Shallarit iu drejtua me fjalët: Mos kij frikë! Je i pafajshëm dhe do të dalësh shpejt.

Policia ka kryer disa aksione për parandalimin e mbjelljes së kanabisit në zonën e Skraparit, ku parcelat janë shtuar shumë gjatë kësaj vere. /abcnews.al