“Më pëlqen Shqipëria e Sylvinhos”, Santos: Në fushë nuk hyn asnjëri për barazim

schedule19:22 - 9 Shtator, 2023

schedule 19:22 - 9 Shtator, 2023

Ashtu siç ishte planifikuar, pasditen e kësaj të shtune, tekniku i Kombëtares polake, Fernando Santos, i shoqëruar nga mesfushori, Gregorz Krychowiak zhvilluan konferencën për shtyp në prag të sfidës së mbrëmjes së nesërme, ndaj Shqipërisë të vlefshme për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024.

Fernando Santos mendon se përballja mes Polonisë së tij dhe Shqipërisë, do të jetë një duel mes dy skuadrave që nuk do të kënaqen me barazimin, me teknikun e skuadrës polake, që ka shpjeguar gjatë konferencës se vlerëson shumë ndryshimet që janë bërë në radhët e “kuqezinjve”.

“As unë dhe jam i bindur as trajneri i Shqipërisë, nuk hyjmë në këtë ndeshje për të dalë barazim. Të dy skuadrat do të hyjnë në këtë ndeshje vetëm për të fituar

Do të ndeshemi me një skuadër që ka cilësi të spikatura, është një skuadër që vazhdimisht përparon. Unë ka drejtuar një skuadër që është ndeshur me Shqipërinë para 2016 dhe jam mëse i vetëdijshëm për cilësinë që ka skuadra e Shqipërisë, është një ekip që është i organizuar shumë mirë dhe sot ka cilësi shumë më të mira se disa vite më parë. E njoh trajnerin kundërshtar, më pëlqen loja e tyre, është e organizuar në fushë, në gjendje të sulmojë, di të mbrohet dhe mendoj s  të dy skuadrat do të dalin në fushë vetëm për një rezultat, për fitoren.

Situata pas ndeshjes së nesërme? Jemi në futboll, aty gjithmonë dikush fiton e dikush humbet, është normale. Edhe humbja është pjesë e lojës. Por nëse skuadra do të fitojë, atëherë do të shohim në ndeshjet e radhës vetëm veten tonë. Ndërsa nëse humbim, do ta kemi mendjen edhe te skuadrat e tjera, do të varemi nga ata.

Atmosfera brenda ekipit është gjithmonë e mirë, ka qenë gjithmonë e tillë, pavarësisht se çfarë ndodh në fushë. Të gjithë kanë frymë skuadre. E gjithë vëmendja ime është përqendruar që t’i sjell skuadrës një plan se si të luajë nesër dhe që ekipi ta përvetësojë, ta vërë në letër e ta zbatojë. Interesante është që Shqipëria kur luajti në ndeshjen e parë, kishte vendosje 4-1-4-1 ndërsa në të fundit e ndërruar këtë skemë dhe ka luajtur me 4-2-3-1. Jam i vetëdijshëm për këtë dhe të gjithë po ndjekim me vëmendje situatën e skuadrës shqiptare, duke e parë në fushë, potencialin e saj. E rëndësishme është të vlerësojmë dhe të përpiqemi që të kemi rezultat pozitiv.

Analiza e ndeshjes para dy vitesh në Tiranë? Që kur jam zgjedhur trajner i Polonisë, ndeshja Shqipëri-Poloni e dy viteve më parë ka qenë ndër të parat, për të mos thënë që ka qenë e para, që kam shikuar. Por ajo ndeshje dhe kjo janë dy ndeshje të ndryshme se kanë ndryshuar lojtarët e kanë ndryshuar trajnerët ndaj nuk ka vend për krahasim. Nëse analizon ndeshjet, analizohen të parat në grup, apo e fundit ndaj ishujve Faroe. Por çdo ndeshje është sfidë e veçantë, realitet tjetër. Ne jemi të përgatitur për çdo sfidë të re.

Futbollistët thanë se u pëlqen kundërsulmi? Sipas meje, një lojtar nuk duhet të kënaqet me kundërsulmin. Një skuadër si Polonia duhet të dijë që ka një lojë të organizuar, jo të mbështetet te kundërsulmi dhe vetëm ai. Nëse ekziston mundësia apo qëllon rasti, patjetër. Por jo që e gjithë loja të organizohet në këtë bazë. Nëse ekipi kundërshtar është duke humbur dhe lëshon hapësira, patjetër lehtëson fitoren.

Nuk ka rëndësi kur shënohet goli, goli mund të vijë edhe në minutën e 80, apo 90. E rëndësishme është të fitohet ndeshja. Duhet të kemi durim, futbolli nuk është kush shënon sa më shpejt të jetë e mundur. Në pjesën e parë ndaj Ishujve Faroe nuk më pëlqyen disa gjëra dhe na u desh të ndryshonim. Por ato nuk kanë rëndësi nesër. Ishujt Faroe luajnë krejtësisht ndryshe nga Shqipëria. Në këto ditë kam bërë më shumë analizë për Shqipërinë se sa Ishujt Faroe.

Në fund, do të uroja që të mbështetni ekipin kombëtar, nëse do të kritikoni dikë, më kritikoni mua, jam mësuar me këtë. Lojtarët po stërviten shumë”, tha ndër të tjera Fernando Santos në konferencën e tij për shtyp. /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!