Më pak procedura për të huajt/ Ndryshon ligji ,“leje unike” për ata që vijnë për punë në Shqipëri

schedule14:44 - 5 Shtator, 2024

schedule 14:44 - 5 Shtator, 2024

Hiqet leja e qëndrimit për shtetasit e bashkimit Europian në Shqipëri. Projektligji “Për të Huajt” me disa ndryshime është hedhur për konsultim publik. Një pikë që është rishikuar lidhet me të drejtën e shtetasve të vendeve të Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të familjeve të tyre për të lëvizur dhe banuar lirisht brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Shtetasit e BE-së dhe familjarët e tyre përjashtohen nga detyrimi për pajisje me Leje Unike dhe Leje Qëndrimi ndërsa aktualisht kishin të drejtë të qëndronin në vendin tonë pa leje për një periudhë tre mujore. Sipas propozimit të bërë në projektligj një shtetas i BE-së mund të banojë në Shqipëri pa leje qëndrimi apo leje unike nëse plotëson një nga këto kritere, si të jetë i punësuar ose i vetëpunësuar dhe  të ketë burime të mjaftueshme financiare.

Po ashtu në projektligj parashikohen lehtësi të procedurave edhe për të huajt që duan të marrin leje qëndrimi në Shqipëri për arsye punësimi. Tashmë kërkesa për   “lejen unike” mund të bëhet nga vetë i huaji, nga punëdhënësi, agjencia e punësimit ose subjekt i autorizuar dhe lëshimi i “lejes unike të qëndrimit” duhet të realizohet deri në 4 javë.

Në draft është rregulluar më tej edhe dispozitat për Leje Unike për punësim stinor, duke parashikuar se pas vitit të parë të punës, punëdhënësi ka të drejtë të bëjë kërkesë për të njëjtin të huaj me kusht që periudha e shkëputjes të jetë 6 muaj.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se të huajt po tregojnë më tepër interes për  Shqipërinë duke u rritur me 18,2% gjatë 2023 në krahasim me një vit më parë. Në fund të vitit të kaluar  numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.460 banorë./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!