Maskat mbrojtëse ndaj koronavirusit janë përdorur në një tentativë për të trafikuar 14 kg kokainë në Britaninë e Madhe.
Zyrtarët e doganave britanike kanë sekuestruar kokainën në vlerë më shumë se 1 milion paund që kontrabandistët kishin fshehur tek ngarkesa me maska për fytyrën.
Oficerët e Forcave Kufitare zbuluan se çfarë po ndodhte pasi vendosën të ndalonin një furgon me targa polake. Kokaina ishte e ndareë në 15 pako dhe u gjet në një kuti plot me maska, tha ministria e Brendshme.
Lidhur me këtë ngjarje, një 34-vjeçar polak u arrestua dhe është marrë në pyetje.
Darren Herbert, menaxheri i operacioneve të Agjencisë Kombëtare të Krimit për portin e Dover u shpreh:
“Ky konfiskim është dëshmi e mëtejshme e mënyrës se si rrjetet kriminale po përpiqen të shfrytëzojnë shpërthimin e koronavirusit për në qëllimet e tyre. Ne po hetojmë se kush qëndron prapa kësaj përpjekje trafiku, por çka është e qartë është se ata kanë marrë një goditje të konsiderueshme…Kjo ngarkesë mund të kishte mbledhur më shumë se 1 milion paund pasi të pritej, fitim që tani u është mohuar trafikantëve.”
Rregullatorët tani po shqyrtojnë maskat për të parë nëse janë apo jo të sigurta për t’u përdorur. /abcnews.al/