Nga Mero Baze
Shqipëria i dha fund skenës politike dypolare, mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, duke ndryshuar tërësisht konfigurimin politik për të ardhmen. Kriza e Partisë Demokratike ka riformatuar politikën shqiptare, duke ndryshuar orientimet politike dhe aleancat mes grupimeve, duke krijuar tri pole politike.
Socialistët që vazhdojnë të jenë kompakt nën peshën e autoritetit të Edi Ramës, do të vazhojnë të jenë dhe më tutje faktori politik më i rëndësishëm në vend, duke siguruar të vetëm një shumicë qeverisëse, së paku deri në fund të mandatit të tretë të tyre.
Pa shumë emocione brenda tyre, me një shkretëtirë personazhesh mesatar dhe pa rivalitete reale brenda tyre, përveç luftës së bërrylave, ata janë poli më i rëndësishëm politik i vendit.
Por reformën kryesore në politikë e ka bërë Partia Demokratike. Vendimi i Lulzim Bashës për të përjashtuar Sali Berishën dhe mbështetësit e tij antiperndimorë nga PD, si dhe distancimi I tij nga LSI dhe Ilir Meta, kanë krijuar dy pole të reja politike në opozitë.
Partia Demokratike e Lulzim Bashës tani e tutje do të mbaj rrreth vetes, pjesën urbane dhe brezin e ri të demokratëve si dhe atë pjesë të veteranëve të demokracisë shqiptare që u konfliktuan në vite me Sali Berishën edhe për shkak të krizave të tij të shpeshta me perndimin dhe sidomos SHBA.
Kriza e tij e fundit dhe shpallja në listën e zezë e familjes së tij, që shënoi dhe rebelimin antiamerikan të ‘berishëve”, shënon një ndarje finale të pakthyeshme dhe të pariparueshme në opozitë.
Partia Demokratike ka tanimë si identitet të saj orientimin properëndimor, dhe një brez politikanësh të cilët duan të shkëputen nga trashëgimia politike e Sali Berishës, një betejë e cila është një histori e re për politikën shqiptare.
Lulzim Basha po përpiqet me shumë sforcim ta paraqes kundërshtërin e tij politik Edi Rama si në aleancë me dy kundërshtarët e tij në opozitë duke I stigmatizuar si “Trekëndshi I Bermundës”, por është ende larg krijiit të një miti të tillë në politikën shqiptare derisa Rama ka një shumicë politike i vetëm, pa nevojën e askujt.
Poli I tret I polikës shqiptare ëhstë aleanca Berisha-Meta, dy personazhe që nuk I bashkon më, e majta apo e djathta, por antiamerikanizmi dhe përpjekja për të krijuar një forcë politike “sovrane” siç e quajnë ata, duke pasur parasysh që duan ti vënë “kufirin” ndikimit perndimor në politikën shqiptare, kryesisht atij amerikan.
Të vendosur në këtë rrugë, ata në fakt janë njehësuar me njëri tjetrin dhe janë bërë një trup politik me identitet të qartë, që shtrihet mbi të majtën dhe të djathtën dhe bashkon gjithë elementët ksenofobë, antiperëndimorë, aluçinantë të lëvizjeve ekstreme, konspiracionist, trampis, e deri tek këta heronjtë “antivaksinë” që vdesin rrugëve pasi i kap covidi.
Për të justifikuar antiamerikanizmin e tyre kanë gjetur dhe armiq amerikan të rëndësishëm sic është milardieri Xhorxh Soros, që është në fund të moshës së tij biologjike dhe ndoshta nuk e k amarrë vesh këtë histori. E ardhmja e tyre së bashku është e sigurt dhe e diktuar nga vet pozicioni që kanë marrë.
Kësisoj ne do të kemi gjatë këtij viti, një forcë të majtë të konsoliduar në pushtet, një opozitë properndimore të udhëhequr nga Lulzim Basha dhe një opozitë “sovraniste” të udhëhqur fillimisht nga Berisha e Meta që në fund edhe për shkak të moshës së Berishës, do të përfundoj në një forcë politike që do të udhëhiqet nga Ilir Meta.
Kjo është reforma e parë e madhe spektrit politik shqiptar prej vitit 1991, ku të gjitha ndarjet kanë qenë për rivalitete brenda partive dhe nuk kanë mundur të krijojnë dot një pol të ri.
Kjo është e vetmja ndarje që vjen nga orientimi politik në raport me perndimin dhe Shqipëria ka për herë të parë një bllok të konsoliduar antiperndimor, që mund të jetë faktor i rëndësishëm politik në vend sa i përket anës elektorale, por shumë larg shanseve për të qenë ndonjë herë pjesë e pushtetit.
Është një bllok që kryesohet nga një familje “non grata” për Perndimin dhe që mund të pasohet dhe nga pjestarë të tjerë të saj, pasi dukshëm mes tyre janë reshtuar persona në kërkim në perndim që përdoren për sulme fizike dhe shqyerje dyersh, politikan me gjuhë të lëshuar ndaj SHBA dhe BE, element kriminal të vendit, dhe personazhe të akuzuar për korrupsin që financojnë në mënyrë ilegale këtë lëvizje antiperndimore.
Tripolariteti i politikës shqiptare, e bën më të qartë skenën politike, dhe më të llogaritshme të ardhmen elektorale të secilit. Poli i tretë antiperëndimor është tani një strehë e gatshme për këdo që ndëshkohet nga PS dhe PD për korrupsion apo çështje të tjera. Është si një kënd toksik I politikës shqiptare që ka si ideologji hakmarrjen ndaj Perëndimit që vendosi standarte antikriminale dhe antikorrupsion në politikën shqiptare, përmes Reformës në Drejtësi dhe dekriminalizimit të politikës.
Dy blloqet e para natyrisht që luftojnë të jenë në pushtet, kurse i treti ëndëron të bëhet faktor që të pengoj një shumicë të pastër të secilit prej të dy blloqeve të para, me shpresë se dikush nga perëndimi do trokas një ditë në derën e tyre e tu thotë: “eja të flasim”. Nuk ka për të ndodhur kurrë, por njeriu ka të drejt të ëndërroj sa të jetë gjallë. Punë moshe është.