Me motocikleta nga Prekazi i Adem Jasharit në Hagë. Të veshur me bluza me mbishkrimin “Liria ka emër”, rreth 150 motoristë shqiptarë nga vende të ndryshme të Kosovës dhe Evropës nisën marshimin me thirrjen e vetme: Drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë.
Përfaqësuesi i kësaj platforme, Ismail Tasholli tha se ky parakalim është simbolik.
“Është një marsh simbolik qysh është një thirrje për drejtësi qëllimi është që arrijmë deri në Hagë atje ta bëjmë një parakalim të motoristëve pastaj të vazhdojmë në Bruksel ku kemi përgatitur një kërkesë që drejtësia të jetë transparente”, tha ai.
Për ish luftëtarin e UÇK, Nasim Haradinaj, kjo lëvizje synon të kthehet edhe në një thirrje për ndërkombëtarët.
“Do të bëjmë vetëm një thirrje për drejtësi dhe ajo tjetra që është që sa më shpejt proceset të kryhen drejt. Ne nuk duam të ndikojmë në drejtësi por duam të themi se kjo drejtësi nuk po monitorohet. Prandaj, kjo le të jetë thirrje edhe për ndërkombëtarët, por edhe për qeveritarë dhe gjithë ata njerëz që mendojnë që drejtësia është vlera kryesore. Dhe nëse drejtësia është vlera kryesore liderët tanë të gjithë shokët që janë në Hagë do të na kthehen të pafajshëm dhe ajo është fitore për ne dhe fitore më e madhe për Kosovën.”
Rrugëtimi i gjatë ka si stacione pas Prekazit, Gllogjanin, Kosharën, Mejë, Landovicë, Morinë, Durrës, Ankona, Zyrih, Dyseldorf, Hage dhe në fund Bruksel.
Gjatë rrugës pritet të bashkohen edhe dhjetëra motorristë të tjerë.
Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë gjithëkombëtare nen drejtimin e organizates se veteraneve te luftes, me mbeshtetjen e qeverise shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama./abcnews.al

