Regjisori Saimir Kumbaro, ka shpërthyer në lot, teksa ka folur në emisionin “Pas Mesnate” për ndarjen nga jeta të aktorit të madh, Mirush Kabashi. Ai ka treguar se lajmin e vdekjes ia dha një tjetër aktor i njohur, siç është Robert Ndrenika.
Kumbaro e ka cilësuar Kabashin si një ndër aktorët më të mirë që ka punuar, pasi gjithmonë e pyeste pa komplekse për rolet. Ai, sakaq, ka thënë se përveç aktrimit, kanë qene dhe miq shumë të ngushtë dhe nuk do të harrojë asnjë moment me të.
“Mirushi ishte bashkëpunues dhe si aktor dhe si kolegë. Ishte një aktor që më ngacmonte shumë. Ne kemi xhiruar me Bert Ndrenikën në Libohovë dhe ishin një dyshe fantastike. Nuk dua të ulë Margarita Xhepën dhe aktorët e tjerë, por Mirushi ishte një perlë e vogël me gjithë Bertin. Madje, njeriu që më mori sot në telefon dhe ma solli këtë lajm ishte Berti. Bert Ndrenika më tha: ‘More vesh?’. ‘Jo, i thash, s’di gjë’. ‘Ka vdekur Mirushi’. Edhe kështu, çfarë të them tjetër unë për Mirushin? E kam pasur në katër filma, te ‘Koncerti’, ‘Gëzhoja e vjetër’, ‘Nxënësit e klasës sime’ në rolin e një pedagogu, të gjitha kanë qene role negative, te ‘Ne dhe Lenini’. Ky është një film që u bë tani vonë. Mirushi ishte nga ata që ta lehtësonte shumë punën. Edhe të pyeste ‘A ta bëj dhe këtë kështu?’, siç ishte rasti i ‘Koncertit ‘36’, ishte Mirushi që erdhi dhe më tha mua: ‘A ta bëj gagaç?’. ‘Ma bë një herë në provë’, i thash. ‘Stop’, i thash, ‘merre rolin se kështu e dua nga fillimi deri në fund’. Domethënë ishte bashkëpunues shumë, të gjitha filmat që kam bërë nuk i harroj, por me Mirushin dhe me Bertin kam pasur një marrëdhënie të jashtëzakonshme, jo vetëm shok në xhirim, por dhe pas xhirimit. Edhe kur hanim fiqtë, kjo ishte Mirushin. Ne kemi qene një familje e madhe në Kinostudio por që kemi shkuar jashtëzakonisht mirë”, tha me lot në sy regjisori./abcnews.al