Me Megan Rapinoe në krye, kombëtarja e femrave të Amerikës në gjyq

schedule14:58 - 2 Maj, 2020

schedule 14:58 - 2 Maj, 2020

Detyrën e bënë vitin e kaluar, por nuk u mjaftuan me aq. Futbollistet femra të kombëtares së Shteteve të Bashkuara të Amerikës vendosën të nisnin sfidën për barazi gjinore në pagesa, ndonëse sapo e pësuan një humbje.

Vajzat, të udhëhequra nga yje të tilla si Megan Rapinoe apo Alekx Morgan, e dërguan çështjen në gjyq, dhe vendimi i parë ishte kundër tyre.

Gjykatësi Gary Klausen, në Gjykatën e Kalifornisë Qendrore, nuk e cilësoi të drejtë kërkesën për të pasur shpërblime dhe pagë të njëjtë me lojtarët meshkuj.

Plot 28 vajza të kombëtares dërguan në gjyq, marsin e kaluar, Federatën Amerikane të Futbollit, duke argumentuar se ato paguheshin më pak për të njëjtën punë si djemtë, pra për stërvitje të njëjtë, të njëjtën kohë ndeshjesh apo udhëtime.

Gjykatësi Klausen vendosi se ekipi i femrave luajti më shumë ndeshje se ekipi i meshkujve dhe mori më shumë para. Gjithsesi, në bazë të ligjit amerikan, vajzat mund ta vazhdojnë gjyqin për kushtet e udhëtimit, sidomos fluturimet me avion, vendosja nëpër hotele dhe shërbime të tjera, sidomos në fushën mjekësore apo të stërvitjes.

Është e sigurt se futbollistet kampione të botës do ta apelojnë vendimin e shkallës së parë, siç edhe theksoi zëdhënësja e tyre, Moly Levinson. Nga të gjitha lojtaret amerikane, më aktivja ka qenë kapitenia Megan Rapinoe, e cila vlerësohet edhe si më e mira futbolliste në botë, sot për sot./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!