“Me lojtarët e rinj Shqipëria mund të shkojë përpara”, Veseli: Mungesat? Rëndësi ka grupi

schedule14:40 - 21 Shtator, 2022

schedule 14:40 - 21 Shtator, 2022

Në prag të përballjes me Izraelin, takim që do të luhet më 24 shtator duke nisur që nga ora 20:45, përpara mediave ë bashku me Sokol Cikalleshin ishte i pranishëm edhe Federik Veseli.

Pikërisht mbrojtja është reparti ku mungesat janë më të mëdha, pasi Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla nuk janë të grumbulluar me kombëtaren për shkak të dëmtimeve, por për Veselin përformanca duhet të jete e grupit dhe jo e një individi të veçantë.

“Mungesa janë shumë të rëndësishme, por shumë herë na kanë munguar ose njëri ose tjetri. Pavarësisht kësaj, nuk u japim shumë rëndësi individëve, por grupit. Jemi të përqendruar për të bërë një ndeshje të mirë në nivel difensiv. Na vlen vetëm trepikëshi.”

Pozicioni i preferuar: “Më mirë jam në qendër, por i kam mbuluar edhe mungesat në krah kur ka qenë nevoja. Kam cilësitë dhe kapacitetet fizike. Normal që jam një qendërmbrojtës.”

Transferimi te Benevento: “Më kërkoi me ngulm Benevento, sepse ka ambicie për t’u kthyer në Serinë A. Gjendja ime në Salerno nuk ishte hiç e mirë, kisha dëmtime dhe probleme me trajnerin. M’u dha mundësia dhe shkova tek Benevento, ku ndihem shumë mirë.”

Gabimet në mbrojtje: “Kundër Izraelit, në shtëpi, kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, por ndikuan gabimet individuale, që mund të ndodhin. Në analizat që kemi bërë, kemi kuptuar që gabimet individuale ishin më të rëndësishme, humbja ka ardhur nga ne, Izraeli nuk ka bërë ndonjë ndeshje të madhe. Secili duhet të marrë përgjegjësitë, të bëjmë një ndeshje të mirë në nivel difensiv. Të shënojmë një gol më shumë se kundërshtari”.

Të rinjtë në Kombëtare: “Gjenerata e re ka shumë ambicie, shihet që secili po rritet në klubet më të mëdha. Kemi një skuadër me shumë cilësi, ekuilibër mes lojtarëve me përvojë dhe atyre të rinj. Shqipëria mund të shkojë përpara me këta lojtarë të rinj.” /f.a/abcnews.al