“Më lironi se jam rëndë”, Gjykata vendos për fatin e Fatos Tushes

schedule13:24 - 28 Korrik, 2021

schedule 13:24 - 28 Korrik, 2021

Refuzohet kërkesa për liri. Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit dhe Korrupsionit nuk ka pranuar argumentet e ish-kryetarit të bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe për liri duke e lënë pas hekurave së bashku me vartësit.

Nga “kafazi” i qelqtë në seancën e sotme ai hoqi përgjegjësinë nga vetja për tenderin që është nën hetim duke deklaruar se “Nuk kam pasur asnjë autoritet mbi tenderin, nuk kam qenë kryetar dhe ent prokurues ka qenë drejtoria e punëve publike, s’ka qenë bashkia e Lushnjes”.

Ai pretendoi se është sëmurë dhe se qëndrimi pas hekurave i rrezikon jetën. “Kërkoj ndryshimin e masës së sigurisë pasi nuk ka dyshime të arsyeshme dhe për shkak të gjendjes shëndetësore shumë të rënduar që kam”.

Njohjen me biznesmenin Ibrahim Lami nuk e mohoi. “E njoh, por nuk kam lidhje me tenderin” tha ai përpara Gjykatës së Apelit, që nuk i pranoi argumentet duke e lënë në burg.

Fatos Tushe u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) bashkë me 10 persona të tjerë vartës të tij dhe biznesmenë me akuzën e abuzimit me tenderin 240 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali vaditës./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!