Agim Ibrahimi është një emër i njohur. Sulmuesi nga Tetova ka një eksperiencë të madhe, është aktivizuar me skuadra si Cagliari dhe Maribor, dhe numëron 7 gola të shënuar në 39 ndeshje me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut.
Janarin e vitit të kaluar vendosi të rikthehet në shtëpi dhe prej atij momenti lufton për ngjyrat kuqezi të Shkëndisë së Tetovës. 31-vjeçari ka qenë afër kombëtares shqiptarë në të kaluarën dhe tregon për “Fan Zone” në Supersport se pse nuk u realizua.
“Ndoshta duhet të kisha qëndruar më shumë te Cagliari, edhe ata donin të më mbanin, duke ditur që për huazimin tim paguan 900 mijë euro. Megjithatë, vendosa të rikthehem përsëri te Maribori, për shkak se luante në kupat e Evropës. Në të kaluarën kam pasur edhe ofertë nga Partizani. Një ditë në Kategorinë Superiore? Nuk i dihet.
Shqipëria? Ne lojtarëve shumë na shikojnë si biznes dhe lekë. Atëherë kam pasur shumë telefonata, por shumë njerëz fusin hundët në punët e futbollistëve. Kërkonin lekë për të luajtur për Shqipërinë. Kosovë-Maqedoni? Unë mendoj se Maqedonia është favorite në këtë ndeshje. Unë nuk mund të jem pjesë në këtë ndeshje”, përfundon Ibrahimi. /abcnews.al

