Më keq se rritja e çmimeve, shfaqen shenjat e para të rrezikut të madh në Ekonomi

schedule12:37 - 29 Prill, 2022

schedule 12:37 - 29 Prill, 2022

Gjergj Erebara-BIRN*

Të ardhurat e qeverisë shqiptare gjatë tremujorit të parë të këtij viti nga taksat dhe tatimet shënuan një rritje rekord prej 27%, udhëhequr nga të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar me 43%. Megjithatë, të dhëna të tjera financiare të publikuara së fundmi sugjerojnë se stuhia ekonomike është duke mbërritur tashmë, në atë që ekonomistët e njohin si stagflacion, ku qytetarët vuajnë inflacion të lartë, ndërkohë që bizneset vuajnë kërkesë të ulët.

Të dhënat e publikuara nga INSTAT [link] mbi transportin e mallrave tregon se në fakt, rritja e të ardhurave të qeverisë duket se rrjedh drejtpërsëdrejti prej rritjes së çmimeve të këtyre mallrave ndërkohë që volumi fizik i tyre është në rënie.

Transporti i mallrave me det, ku kryhet shumica dërrmuese e importit dhe eksporteve, ra me 7.4% sipas volumit në tonë, ndërkohë që importi i mallrave me det u rrit me 32% sipas vlerës në lekë, në tremujorin e parë të këtij viti, në krahasim me një vit më parë. Kjo sugjeron se shqiptarët po paguajnë më shtrenjtë për më pak mallra të importuara, por kjo rënie e konsumit po vuhet vetëm nga qytetarët, ndërkohë që rritja e çmimeve është mëse e mjaftueshme për të rritur të ardhurat e qeverisë.

Ministria e Financave publikoi të dhëna të tjera të detajuara që sugjerojnë rënien e konsumit përballë çmimeve të rritura. [Link] Të dhënat analitike të të ardhurave buxhetore tregojnë se volumi i importimit të tre prej katër mallrave kryesore të akcizës është në rënie të fortë.

Vendi importoi 82 mijë tonë karburante gjatë periudhës janar – mars, me rënie 35% në krahasim me një vit më parë. Ky ishte edhe importi më i ulët i karburanteve që nga koha kur volumi i importeve ndikohej nga prania ose jo e ish-rafinerisë së Ballshit në tregun shqiptar.

Importi i cigareve ishte gjithashtu vetëm 494 tonë, shifra më e ulët që nga viti 2015. Importet e kafesë pësuan rënie 43% në volum këtë vit në krahasim me vitin e kaluar ndërsa e vetmja rritje u vërejt te importet e birrës.

Stagflacioni është situata në të cilën qytetarët, përballë presionit për të paguar më shumë për disa mallra të domosdoshme, si bukë, vaj apo karburante, detyrohen të kursejnë në gjithçka tjetër që nuk është e domosdoshme aty për aty, si fjala vjen, rroba, pushime apo dëfrime. Këto lloj tronditjesh sjellin rënie të prodhimit, investimeve dhe vendeve të punës, pra stanjacion ose recesion, të shoqëruar me inflacion. Kjo situatë ndodh kur goditjet inflacionuese janë të jashtme, siç është aktualisht rritja e çmimeve për shkak të Luftës në Ukrainë. Por një pjesë e inflacionit duket se është e brendshme dhe lidhet me kursimet e larta të akumuluara nga popullsia gjatë krizës së pandemisë, kur pagat vijuan të jepen pothuajse të plota, të financuara me borxh, ndërkohë që shumë shpenzime nuk kryheshin për shkak të ndalimqarkullimit.

E gjithë bota është duke u përballur me një situatë të ngjashme. Në SHBA në tremujorin e parë u shënua rënie ekonomike në masën 1.4% dhe inflacioni më i lartë në dyzet vjet. Në Eurozonë, inflacioni u rrit me 7.5% në mars pasi çmimet e energjisë u rritën me 38% në krahasim me një vit më parë. Rritja ekonomike e eurozonës u ngadalësua në vetëm 0.2% në terma vjetorë.

Titulli është i redaksisë, titulli i autorit: Stuhia në horizont; ekonomia shfaq shenjat e para të stagflacionit

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!