“Më kanë vra për së gjalli”, flet pas video-skandalit polici

schedule13:56 - 2 Mars, 2019

schedule 13:56 - 2 Mars, 2019

Ish-polici i zonës së Gruemirës në Malësinë e Madhe që u shfaq disa javë më parë në një video intime me pretendimin se ngacmonte një të mitur ka thënë për ABC News se ndihet i kryqëzuar nga ajo që i ka ndodhur. Ai kërkon ballafaqim me personat që i ngritën akuzat. Bajrakurti ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Pragun e kësaj shtëpie e ka kaluar vetëm për të thënë të vërtetën sipas tij. Në ndonjë studio televizioni ose me ndonjë gazetar. Kafe me shokët e miqtë këtu në Koplik akoma nuk ka pirë.

Ish-polici i Gruemirës Berhan Bajrakurti, prind i katër fëmijëve rri brenda mureve që kur video-skandali, siç thotë ai, e kryqëzoi. Këmbëngul se i është cënuar privatësia dhe se as vetë nuk di si ato filmime dolën nga kjo dhomë.

“Mua më kanë vra për së gjalli. Më kanë kryqëzu në mënyrën më të… Është një dorë shumë e zezë në Malësi të Madhe, e mirëorganizume, që ma stisi këtë gja që nuk është ndierë asnjëherë në këto zona. Është ba për të më goditur mua personalisht, për të ulur imazhin e Policisë së Shtetit”, tha Bajrakurti.

Që në momentet e para kur është njohur me video-skandalin ka kërkuar të ballafaqohet. Me ata që i ngritën akuzat për ngacmim të minorenes, me këdo që po e akuzonte ligjërisht dhe publikisht. Por kanë kaluar kaq kohë dhe askush për këtë qëllim nuk është takuar me Bajrakurtin.

“Kërkoj vetëm të ma gjejnë atë minorenen për të cilën unë akuzohem, që kam vu në makinë me gjithë të ëmën. Që i paska vënë mbrapa në makinë, që e kam ndjek. Që paska ardh te komisariati, unë e kam kap për krahu dhe nuk e kam lënë të hyjë brenda. Vetëm atë person dua që të më gjejnë tash”, tha ai.

Kalon orë e ditë të tëra këtu ulur në divan, por nuk është në gjendje akoma të tregojë nga ku i doli një video e tillë. Cilët janë ata njerëz, çfarë qëllimi kishin.

“Mua më është marrë privatësia. Se ku është bërë, a aty ku riparojmë telefonat, a ndonjë shoq i pabesë, këtë do ia lë drejtësisë”, tha Bajrakurti.

Pas skandalit, Berhan Bajrakurti u akuzua për ngacmim seksual ndaj një të miture. Aktualisht ai ndodhet në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”./abcnews.al

Gazetar: Simon Shkreli

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!