“Më injoroi, nuk vij më”, Challandes e thotë troç: Paqarada nuk luan me Realin!

schedule09:39 - 14 Prill, 2021

schedule 09:39 - 14 Prill, 2021

Bernard Challandes ka reaguar pas një komunikate të fortë të bërë para pak kohësh nga mbrojtësi Leart Paqarada, i cili luan në Bundesliga 2 me skuadrën e St Paulit. Në rrjetet sociale ai theksonte se po tregohej mungesë respekti ndaj tij, kështu që kishte marrë vendimin të mos bashkohej më me Kosovën për sa kohë zvicerani Challandes të jetë trajner.

Tekniku, në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka folur dhe është i qartë: “Paqarada me klubin luan, por nuk është Real Madrid, është St Pauli. Learti ka luajtur mirë dhe nuk është lojtar i dobët, por flasim për shtatorin 2020 dhe ne kishim sukses edhe pa të.

 

 

Kur luajtëm në shtator, luajti një ndeshje, në tetor të vitit të kaluar luajti dy ndeshje. Në nëntor nuk mundi të vinte. Ai vendosi që të mos vinte për Kosovën. Ai vendosi se me këtë trajner nuk do të vi për Kosovën. E respektojë vendimin e tij, por më vjen keq. Ai ka vendosur dhe është një situatë normale”.

POSTIMI I MBROJTËSIT“Pas shumë komenteve, thirrjeve dhe mesazheve të pranuara nga përfaqësuesit e mediave, ndihem i obliguar ta bëj këtë reagim. Është nder, krenari dhe privilegj për mua dhe bashkëlojtarët e mi të kombëtares të veshim fanellën e Kosovës.

I mbështetur për muri nga degradimi që më është bërë në vazhdimësi nga trajneri; mosangazhimi në lojë prej vitesh përkundër ftesave për të luajtur; mosrespekti dhe injorimi nga ai më detyrojnë që të vendos që përkohësisht të largohem nga dispozicioni për të luajtur në ekipin që udhëhiqet nga Bernard Challandes.

Përzgjedhjen për të luajtur për Kosovën, krahas Shqipërisë apo në përfaqësueset e grupmoshave të Gjermanisë, e kam bërë pa asnjë mëdyshje, gjë të cilën do ta bëja përsëri, mirëpo jo nën drejtim të Bernard Challandes.

Përkundër respektimit tim maksimal ndaj vendimeve të trajnerit, kam ardhur me pikën që ta mbroj dinjitetin tim nga ai. Si bir i Kosovës jam i gatshëm të vazhdoj të kontribuoj duke luajtur për kombëtaren nga momenti kur të vijë trajneri i ri.

Dashuria ime për Kosovën dhe familjen time është më e madhe se mosrespektimi dhe injorimi i trajnerit. Në fund të ditës, trajnerët janë të përkohshëm, ndërsa Kosova është e përhershme. Ky vendimi i rëndë është momental, Learti”. /abcnews.al

 

Postimi i lojtarit dardan