Me drogë dhe të shpallur në kërkim, në pranga 4 vetë

schedule09:47 - 19 Tetor, 2019

schedule 09:47 - 19 Tetor, 2019

Policia e Krujës ka vënë në pranga një person dhe ka shpallur në kërkim një tjetër pasi në banesat e tyre kishin lëndë narkotike. 45-vjeçari A.D, kishte në shtëpi rreth 1.5 kilogramë kanabis sipas policisë. Ndërsa një i ri tjetër 20 vjeç kishte 3.5 kilogramë kanabis sativa.

“Si rezultat i kontrolleve nga Policia e Krujës është kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasi A. D., 45 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë, pasi  gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 1.5 kg lëndë narkotike kanabis sativa.

Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi L. D., 20 vjeç, banues në fshatin Verjon, Krujë dhe vijon puna për kapjen e tij, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 3.5 kg lëndë narkotike kanabis sativa”, thuhet në njoftimin e policisë.

Po gjatë kontrolleve, Policia e Krujës  bëri të mundur kapjen dhe ndalimin e një shtetasi të shpallur në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Krujë bënë  ekzekutimin e vendimit penal të vitit 2019  për shtetasin K. H., 48 vjeç, banues në Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, në mungesë.

Gjithashtu Specialistët për Hetimin e  Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë  Durrës, bënë të mundur kapjen e Xh.Ç., 37 vjeç, banues në lagjen Nr 17 Durrës. Ai ishte i shpallur në kërkim për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” “Falsifikim formularësh” e ” Kallëzim i rremë”.

Këto ndalime u kryen në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve si për kapjen e personave të shpallur në kërkim, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkohë në Përmet është arrestuar një person tjetër. Abcnews.al mëson se ai quhet Donald Demçellari, banues në një fshat të Përmetit. Ai u prangos në flagrancë pasi i sekuestruan 3.5 kilogramë lëndë narkotike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!