“Me Brojën kuptohemi shumë mirë”, Bajrami: Grupi është gati për Evropianin

schedule21:26 - 7 Qershor, 2024

schedule 21:26 - 7 Qershor, 2024

Ishte një fitore spektakolare, në sfidën e fundit përgatitore para nisjes së Kampionatit Evropian të futbollit. “Legjionarët” e Kombëtares sonë nuk kanë gabuar pasditen e kësaj të premteje, në “Haladas Sportkomplexum”, teksa kanë mundur me rezultatin bindës, 3 me 1, ndaj përfaqësueses së Azerbajxhanit.

Me një eurogol, në minutën e 11’-të dhe me një asist gjatë një aksion magjik, në minutën e 88’-të të sfidës, për Qazim Laçi, Bajrami mund të konsiderohet patjetër si “Lojtari i ndeshjes”. Pas ndeshjes “fantazisti” i sulmit bëri edhe një koment të shkurtër për mediat, ku fillimisht tha se grupi është i përgatitur për Evropianin e më tej foli për marrëdhënien e mirë, me “bomberin”, Armando Broja.

“Këtu në Kombëtare, jemi të gjithë të motivuar, çdokush do të japë maksimumin. Goditjet nga jashtë zonës i provojmë gjithmonë. Edhe Asani ndeshjen e kaluar dhuroi një supergol. Duhet të vazhdojmë kështu. Të gjithë do të ikim në Europian, do të luftojmë për çdo pikë, për çdo top, jemi përgatitur shumë mirë. Besoj se jemi gati tani.

Me Brojën kuptohemi shumë mirë, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë. Jemi të gjithë çunat gati, e di trajneri kush do të fillojë. Në këto 2 ndeshje jemi ndjerë shumë mirë. Kundërshtarët i kemi shumë të vështirë. Duhet të japim maksimumin”,- u shpreh “fantazisti” i Kombëtares, para fitores së thellë, ndaj Azerbajxhanit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!