Nga studioja e “ABC e Mëngjesit”, sot Hasan Rrahmani ndau historinë e tij prekëse: një udhëtim personal, emocional dhe humanitar nga Londra drejt Prishtinës me biçikletë, në kujtim të babait të ndjerë.
Hasan Rrahmani, gazetar dhe producent i njohur, është në ditën e 16-të të një rruge të pazakontë, jo një rrugëtim turistik apo sportiv, por një homazh për babain e tij, i cili humbi jetën nga kanceri në pankreas. 2200 kilometra, me biçikletë, nga Londra drejt Prishtinës, për të përkujtuar jo vetëm jetën e një prindi, por edhe rrugën e emigracionit që ai vetë kishte përshkuar dekada më parë.
“E nisa rrugën nga Hendon dhe kalova përmes Francës, Alpeve Zviceriane, Italisë, Shqipërisë, dhe destinacioni final është Prishtina”, tha Hasan në studion e “ABC e Mëngjesit”.
Ky nuk është një udhëtim i zakonshëm. Hasan ndjek me përpikëri hapat që babai i tij kishte ndjekur 26 vite më parë, kur kishte emigruar nga Kosova drejt Anglisë, në kërkim të një jete më të mirë. “ Po ndjek të njëjtën rrugë që babai im ndoqi, por këtë herë në kthim si një simbol i rikthimit dhe përkujtimit”, shpjegon ai./abcnews.al

