Douglas Costa është rikthyer të jetë protagonist për Juven, pas atij supergoli të shënuar në fitoren 1-2 kundër Lokomotiv Moscow në Champions League. Sulmuesi anësor i Juventusit dribloi tre mbrojtës, arriti një kombinim dysh, duke shmangur dhe dy të tjerë para se t’ia kalonte topin nga shalët portierit.
Pas golit reagimet kanë qenë të shumta, ku ka shprehur mendimin e tij dhe ish-trajneri i Shakhtar Donetsk, Mircea Lucescu. “Për sa i përket potencialit dhe kualiteteve, Costa nuk ka pse ta ketë zili Kylian Mbappen. Ai shënoi një gol të bukur, por Douglas e ka mundësinë të shënojë në çdo ndeshje si ai gol. Më besoni, unë e di.”- deklaron rumuni për ‘Tuttosport’.
Ishte pikërisht Lucescu, i cili e transferoi brazilianin në Europë nga Gremio, ku shkëlqeu me fanellën e Shakhtar-it. Douglas Costa ka shënuar vetëm 8 gola në tre sezone me bardhezinjtë, por duhet theksuar se braziliani ka kaluar dëmtime të shumta vitet e fundit. Në sezonin e parë tek Juventusi, 29-vjeçari tregoi potencialin e tij duke dhuruar 12 asiste për shokët e ekipit. /abcnews.al