“Me asnjë vend tjetër”, Rama: Marrëveshja për emigrantët është “ekskluzive” vetëm për Italinë

schedule11:07 - 20 Shtator, 2024

schedule 11:07 - 20 Shtator, 2024

Shqipëria e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se nuk do të lejojë vende të tjera përveç Italisë të strehojë emigrantët në kampe pritjeje në territorin e saj.

Kjo “qasje e prerë” u ripërsërit nga kryeministri Edi Rama, në një intervistë për Euronews, ndërsa tha se marrëveshja për emigrantët është “ekskluzive vetëm më Italinë”.

Një përgjigje e tillë e kryeministrit shqiptar vjen disa ditë pasi kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni u shpreh se homologu i saj britanik, Keir Starmer, kishte shprehur interes të madh për skemën, sipas së cilës “Italia do të transferojë deri në 36,000 emigrantë në vit në dy qendra pritjeje në Shqipëri, ndërkohë që qeveria italiane përpunon kërkesat për azil”

“Kjo është një marrëveshje ekskluzive me Italinë, sepse ne i duam të gjithë, por me Italinë kemi dashuri të pakushtëzuar”, tha Rama.

Ai shtoi se Shqipëria po përpiqet të ofrojë një zgjidhje pragmatike për këtë çështje, e cila mbetet një sfidë e madhe për të gjithë vendet Europiane.

Shefi i qeverisë theksoi se shqiptarët janë evropianë, pavarësisht se nuk janë bërë ende pjesë e Bashkimit Evropian.

“Kur vendosëm ta bënim marrëveshjen e migracionit, vendosëm bazuar në ndjenjën e përgjegjësisë si fqinjë, si evropianë. Sigurisht që ne nuk jemi evropianë  brenda BE-se, por ne jemi ende evropianë dhe kjo nuk mund të na mohohet . Kjo është diçka që ne e bëmë në vend që të mos bënim asgjë. Pra, a është e re apo nuk është e re, a është novatore apo nuk është novatore, do të funksionojë apo nuk do të funksionojë, kjo është e gjitha për t’u parë, por me siguri është më mirë sesa thjesht të luftosh ideologjikisht për këtë çështje dhe të mos bësh asgjë”, u shpreh kreu i qeverisë./ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!