Me 502 vota pro dhe 120 kundër, Parlamenti Europian, miratoi këtë të mërkurë, raportin për Shqipërinë, që vlerëson progresin e bërë nga vendi ynë gjatë dy viteve të fundit në rrugën e integrimit.
Në raportin e hartuar nga Andreas Scheider, theksohet përkushtimi i palëkundur i Shqipërisë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian si dhe ambicia për të mbyllur të gjithë grupkapitujt e negociatave deri në 2027.
Eurodeputetët përshëndesin reformat e ndërmarra por kërkojnë më shumë angazhim në reformat që kanë të bëjnë me forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Raporti, por edhe eurodeputete, vlerësojnë punën e Spak.
Një ditë më parë, gjatë diskutimeve në Parlamenti Europian, komisionerja për zgjerimin, Marta Kos, kërkoi që reforma në drejtësi të mos preket dhe të ruhet pavarësia e SPAK. Po ashtu, diplomatja e Brukselit, tha se Tirana zyrtare po ecen me ritme të shpejta në procesin e integrimit ndërsa Bashkimi Europian po vepron duke respektuar qasjen e bazuar në meritë.
Ky raport vjen në një moment të rëndësishëm për Shqipërinë, pasi vendi ynë është një pritje të hapjes së dy grupkapitujve të fundit të negociatave, Agjenda e Gjelbërt dhe Bujqësia në muajin shtator. Ambicia e qeverisë shqiptare në sinkronizim edhe me Brukselin është që në fund të këtij viti të nisë edhe mbyllja e grupkapitujve.
“Marrëdhëniet me Jashtë” do të jetë edhe grupkapitulli i cili pritet të mbyllet I pari. Shqipëria është vlerësuar nga Bashkimi Europian që ka linjëzuar politiken e saj të jashtme me atë të bllokut.

