Me 4 shokë plagosën 33-vjeçarin në Berat, merr fund arratia e njërit prej autorëve

schedule12:15 - 10 Maj, 2022

schedule 12:15 - 10 Maj, 2022

Ka marrë fund arratia e 49-vjeçarit l. N. i shpallur në kërkim për plagosjen e Iljaz Ismaili pasditen e 21 majit 2021 pranë lokal “Kështjellës” në Poshnje të Beratit.

“Në vijim të punës për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të shtetasve të shpallur në kërkim, specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat bënë ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, për shtetasin l. N., 49 vjeç, banues në Patos, Fier. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat i ka caktuar shtetasit I. N., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, pasi në datën 21.05.2021, në fshatin Poshnje, shtetasi I. N., në bashkëpunim me 5 shtetas të tjerë (2 prej tyre të arrestuar në datën 22.05.2021), plagosën me armë zjarri pistoletë, një 33-vjeçar” bëri me dije policia.

Si ndodhi ngjarja

Iljaz Ismaili, 33 vjeç u plagos me armë zjarri pasditen e vonë të 21 majit pranë lokal “Kështjellës” në Poshnje të Beratit duke bërë që policia të arrestojë për këtë ngjarje të rëndë dy persona, ndërsa u shpallën në kërkim edhe katër të tjerë.

Ismaili sapo ishte kthyer nga Anglia dhe kishte pasur një sherr më herët me personat e përfshirë në plagosjen e tij.

Në videon e siguruar nga Abc një vit më parë Ismaili  hyn me një makinë tip “Mercedes Benz ML” në parkingun e lokalit duke u ndjekur nga një tjetër makinë tip “Toyota Rav4”, nga e cila zbresin pesë persona.

Momenti i plagosjes më 21 maj 2021

Ata tentojnë ta marrin me forcë Ismailin në makinë, por teksa ai reziston bashkë me të vëllainë, shoferi i “Toyota-s” qëllon me armë ndaj Ismailit duke e plagosur. 33-vjeçari largohet me vrap nga vendi i ngjarjes teksa një person me armë në dorë e ndjek nga pas. Ky i fundit rrëshket një moment duke i dhënë mundësi Ismailit që të largohet me vrap nga vendi i ngjarjes.

Më pas, personat e përfshirë në ngjarje largohen me shpejtësi nga parkingu duke hipur në makinën tip “Toyota Rav4”./abcnews.al/