Ngjarje e rëndë në ujërat e liqenit të Shkodrës që i përkasin Malit të Zi. Një familje me tre anëtarë nga Zeta e Malit të Zi dhe një djalë nga Podgorica u mbytën ujërat e liqenit te Shkodrës, kur stuhia përmbysi varkën në të cilën ata ndodheshin. Detajet e tragjedisë janë dëshmuar nga një tjetër person, i cili ishte në të njëjtën varkë me viktimat, raporton gazeta malazese “Vijesti”.
Sipas dëshmitarit, janë mbytur burrë e grua dhe djali i tyre, si dhe një i ri, i cili u përpoq t’i shpëtonte personat e përfshirë në këtë ngjarje. Në momentin që mjeti lundrues u përmbys në varkë ishin 9 persona, të cilët kishin shkuar në Manastirin Vranjina. Katër personat humbën tragjikisht jetën, ndërsa të tjerët arritën që të dalin në breg, duke shpëtuar.
Drejtori i Parkut Kombëtar të Malit të Zi, Nenad Ivanoviç, konfirmoi për “Vijesti” se një trup u gjet, ndërkohë po kërkohet për trupat e tre personave te tjerë. Ekipet e shpëtimit, duke përfshirë zhytësit dhe një helikopter policie, u mobilizuan për të gjetur të zhdukurit, njoftoi media lokale./abcnews.al