Këshilli Bashkiak i Durrësit ka shpallur emergjencën mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e bashkisë Durrës për shkak të mbylljes së vend depozitimit të Porto-Romanos.
Vendimi është marrë pas mbledhjes së sotme e cila u zhvillua online për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Miratimin e propozimit të emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve në territorin e Bashkisë Durrës, për shkak të mbylljes së venddepozitimit të Porto Romanos.
Të kërkohet mbështetja financiare si dhe zëvendëskryetarit të Bashkisë që kryen funksionet e kryetarit të Bashkisë t’i jepet e drejta të bashkëpunojë me institucionet e qeverisjes qendrore, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencinë Kombëtare,Ujësjellës, Kanalizime dhe Infrastrukturës së Mbetjeve dhe Koncesionarin e Zonës së Trajtimit të Mbetjeve Tiranë, për gjetjen e një zgjidhjeje të menjëhershme dhe efikase për depozitimin e mbetjeve dhe zgjidhjen e situatës emergjente të Bashkisë Durrës në mbështetje të Vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit nr.01, datë 13.01.2020 “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta”.
Për zbatimin e këtij vendimi, ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve dhe Punëve Publike dhe Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit Financiar” thuhet në vendim.
LEXO EDHE: Plehrat në Manzë, Paloka: Rama e Velia po i japin inceneratorit të tyre 100 milionë euro shtesë
Bashkia Durrës po i dërgon plehrat në landfillin e Sharrës për disa ditë deri në gjetjen e një zgjidhje. Pak ditë më parë kamionët që u dërguan drejt Manzës u bllokuan nga protestat e banorëve të cilët i kthyen ata mbrapsht.
Relacioni i paraqitur nga Bashkia e Durresit
Referuar situatës problematike të krijuar në vend-depozitimet aktuale si pasojë e mungesës së lendfilleve për trajtimin e mbetjeve urbane kërkojmë shpalljen e emergjencës Mjedisore në fushën e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve.
Bashkia Durrës në vazhdimësi ka kërkuar mbështetje, Ministrisë Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencisë Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, për zgjidhje të situatës emergjente në të cilën ndodhemi në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane në territorin tonë.
Nisur nga mungesa e një modeli shpjegues unik të imponuar nga niveli qendror rreth mënyrës se si të organizohen shërbimet “rajonale” të menaxhimit të mbetjeve, e ka vështirësuar trajtimin e kësaj çështje në nivel vendor. Ndërtimi i një impianti brënda territorit tonë për trajtimin e mbetjeve që ne gjenerojmë, kërkon një kosto të lartë investimi, kapacitet financiar i të cilit është e pamundur të mbulohet nga ne, kjo edhe për shkak të situatës së rënduar financiare krijuar nga tërmetet e rëna të datës 21 shtator dhe 26 nëntor 2019 si dhe situatës së krijuar nga COVID-19.
Aktualisht Bashkia Durrës ndodhet në një situatë pazgjidhje, pasi realizimi i projektit “Mbyllja e vend-depozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta Eko-Park, Durrës” nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, në rolin e Autoritetit Kontraktor, në përmbushje të detyrimeve të kësaj kontrate, nuk lejon vazhdimin e depozitimit të mbetjeve të ngurta në venddepozitimin e Porto-Romanos nga ana e Bashkisë Durrës. Në territorin tonë përveç VGM-së së Porto Romanos, ndodhen dhe 3 VGM të tjera (përkatësisht Vadardh Sukth, Fush Biz Ishëm dhe Gryk Minier Manëz) të cilat sipas VKM-së Nr. 389, datë 27.06.2018 “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKM-në Nr.452, datë 11.07.2012 “Për Lendfillet e mbetjeve”, sipas hartëzimit negativ kanë dalë për mbyllje, pasi nuk kanë kapacitete dhe kushte teknike për të vazhduar të qëndrojnë venddepozitime sipas kritereve ligjorë e teknike dhe legjislacionit përkatës.
Aktualisht ndodhemi në një situate kritike, pasi nuk kemi asnjë venddepozitim ekzistues për të depozituar mbetjet urbane tona , të cilat janë mesatarisht 75 500 ton mbetje në vit).
Mbështetur në Vendimin Nr. 01, datë 13.01.2020 “Për miratimin e Planit Kombëtar Sektorial për Menaxhimin e Mbetjeve të Ngurta” , Strategjinë Sektoriale, Planin e Zhvillimit të Sektorit dhe Hartat Bazë, na behet me dije se territori i Shqipërisë do të demarkohet ne 10 zona mbetjesh, ku Zona Tiranë-Durrës përfshin qarkun e Tiranës dhe qarkun e Durrësit, zonë e cila sipas VKM 418 datë 25.05.2020 “Për miratimin e dokumentit të politikave strategjike dhe të planit kombëtar për menaxhimin e integruar të mbetjeve 2020-2035”, për çdo zonë do të përgatiten studime fizibiliteti rajonale, të cilat hartohen nga ministria përgjegjëse, dhe do të shërbejnë si bazë për vendimarrjen.
Bashkia Durrës e ndodhur në këtë situatë, ka tentuar të depozitojë përkohësisht mbetjet e evaduara në venddepozitimet ekzistuese, të Gryk Minier, Manzë dhe Vadardhë Sukth, por është hasur me protesta të mëdha nga ana e banorëve. Këto protesta janë shoqëruar me një rezistencë të ashpër nga ana e banorëve, madje dhe në orët e vona të natës, duke bërë një bllokadë përpara mjeteve dhe duke mos lejuar evadimin e mbetjeve. Gjithashtu edhe Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale me një shkresë zyrtare i është drejtuar insitucioneve në nivel qarku, si dhe Policisë së Shtetit, për të bashkëpunuar ndërmjet strukturave për zgjidhjen e situatës së krijuar.
Bashkia Durrës tentoi të bëntë një dëgjesë publike me banorët e këta njësive, por hasëm në rezistencën e tyre duke mos pranuar në mënyrë kategorike asnjë sqarim nga ana e institucionit. Gjithashtu për këtë arsye ata janë drejtuar me një peticion pranë Bashkisë, si një iniciativë qytetare për të kërkuar një zgjidhje përfundimtare dhe të menjëhershme për mosdepozitimin në territorin e njësisë administrative ku banojnë.
Për sa më lart, kërkojmë propozimin e shpalljes së emergjencës mjedisore në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve urbane në territorin e Bashkisë Durrës. Ky propozim në zbatim të pikës 4/c të VKM-së nr. 967, datë 25.10.2013 “Për mënyrën e organizimit e të funksionimit të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve”, do t’i përcillet zyrtarisht Komitetit, pasi ky është autoriteti përgjegjës për shpalljen e fillimit dhe përfundimin e emergjencës mjedisore në vend.
Nga ana e Bashkisë Durrës do të ndiqen të gjithë hapat ligjorë dhe teknikë, në bashkëpunim me të gjithë institucionet përgjegjëse për një zgjidhje të menjëhershme të situatës së krijuar./abcnews.al