Mbyllja e nëntë postave serbe në veri/ Ish-ambasadori: Albin Kurti është kundër perëndimorëve, akt që dëmton Kosovën

schedule13:34 - 6 Gusht, 2024

schedule 13:34 - 6 Gusht, 2024

PRISHTINË- Nëntë objekte të Postës së Serbisë u mbyllën në pjesën veriore të Kosovës. Policia e Kosovës tha se mbyllja u bë për shkak se ky institucion operonte ilegalisht në territorin e Kosovës.

Ky veprim nxiti reagimin e Serbisë, e cila tha se ky veprim bie ndesh me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe se është përpjekje për presion mbi serbët e Kosovës.

Por pavarësisht reagimit të Serbisë, vendet perëndimore dhe aleatët e Kosovës nuk qëndruan në heshtje, por kërkuan nga Albin Kurti të tërhiqet pasi një akt i tillë mund të prodhojë pasoja në ketë pjesë të Kosovës.

Ish-ambasadori Anton Berisha në një intervistë me edicionin e lajmeve “Tirana Live” në ABC News, nënvizoi se kryeministri Albin Kurti me veprimet e pakoordinuara me aleatët perëndimorë po dëmton rëndë vendin dhe interesin e qytetarëve të Kosovës.

Ai theksoi se Kurti, nuk ka si qëllim prosperimin e vendit drejt BE, por krijimin e krizave artificiale, që sipas tij, po bëhen thjesht për interesa politike dhe pushteti.

“Ky [referuar Albin Kurtit] do të shkojë pambarimisht në krijimin e krizave artificiale dhe pasojat i vuan shteti i Kosovës në raport me botën perëndimore dhe atë që njihet si qytetërim civilizues perëndimor”, tha ai.

Ish-ambasadori theksoi se betejën kryesore Albin Kurti duket që e ka me aleatët perëndimorë të Kosovës, por pavarësisht kësaj, z. Berisha theksoi se pasoja do t’i vuajë shteti dhe qytetarët.

“Ky në realitet ka betejën me perëndimin dhe si kundërshtar i tyre, dihet që pasojat do jenë për shtetin e Kosovës. Veprimet politike shkojnë në drejtim të dobësimit të shtetit të Kosovës dhe në ashpërsimin e raporteve me SHBA dhe BE. Kjo është pasojë dhe pasoja është e rëndë. Kosova është duke ecur pas dhe mandati i Kurti është hapa në drejtim të zhbërjes së shtetit të Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, me këtë kriza të reja, Albin Kurti synon të blejë kohë, pasi mendon se i vlejnë për llogari elektorale.

“Nuk ka plan për ta çuar përpara Kosovën, por ky ka plan të blejë kohë përmes incidenteve deri në zgjedhje të tjera. Këto veprime janë imitime të palës serbe, në kohën më të keqe të saj dhe një politikë lindore, që e izolon Kosovën. Kjo nuk i mundëson integrim në strukturat euroatlantike, por kjo e kthen Kosovën në një mëhallë”, shtoi ai.

Mes tjerash, Berisha u shpreh se me këtë qasje, Kosova po shkon drejt mbylljes dhe për pasojë kjo rrugë do të prodhojë probleme të mëdha ekonomike.

“Ai dëmton vendin dhe qytetarët e vet. Ne po mbyllemi dhe po izolohemi dhe situata ekonomike po bëhet më e paqëndrueshme dhe do kalojmë nga kriza në krizë.”, tha Anton Berisha./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!