Kantautori Elton Deda ka reaguar sërish lidhur me aktin normativ të qeverisë për të mbyllur klubet e natës dhe ndaluar muzikën pas orës 20:00, si një masë kufizuese në një kohë kur rastet me koronavirus janë shtuar. Përmes një postimi në Facebook, Deda i bën thirrje kryeministrit Edi Rama që të shfuqizojë aktin normativ dhe të bëjë një të ri me masa shtrënguese.
“Reflekto or mik sa nuk është vonë. Mos jua mbyll shqiptarëve të dërrmuar atë dritaren e zbehtë që u jep pak kënaqësi. Ka plot forma që mos t’i rrënosh muzikantët e bashkë me ta gjithë zinxhirin e biznesit. Shfuqizo atë aktin e çuditshëm dhe bëj një të ri ku shtrëngon masat.
Ti do thuash “jemi keq si komb e s’marrim veshj”…por ta garantoj që kështu nuk do marrim vesh jo për inat, por sepse po shkojmë drejt një grope të madhe. Sa më shpejt madje. Miqësisht, një pjesë e armatës të denigruar prej 5 muajsh”, ka shkruar Deda.
Kujtojmë që kantautori reagoi edhe ditën e djeshme, duke ironizuar vendimin e qeverisë për të mbyllur këto ambiente gjatë periudhës së pandemisë. “Kevin Kaceli sapo më dha një mendim të vyer. Ne muzikantët, t’i bëjmë Live-t tona nga ora 8 e mëngjesit deri në 10. Në këtë mënyrë shijohet kafja e mëngjesit përsëmbari. Faleminderit të gjithëve që do na mbështesni në këto orare.“, shkroi Deda. /abcnews.al/