Mbyllja e degëve të postës serbe në veri/ Ambasadori gjerman: Veprimet e njëanshme rrezikojnë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

schedule11:22 - 6 Gusht, 2024

schedule 11:22 - 6 Gusht, 2024

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka reaguar lidhur me mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës.

Ai i ka thënë se janë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara jo vetëm që janë në kundërshtim me marrëveshjet e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por “më keq, rrezikojnë të lënë të bllokuar në postë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”.

“BE-ja lulëzon duke mbledhur rreth vetes të gjitha shtetet anëtare dhe komunitetet e tyre dhe ne na duhet qasje e njëjtë në nivel kombëtar”, tha Rohde përmes një postimi në X, teksa shpërndau reagimin e zëdhënësit të bllokut evropian, Peter Stano, lidhur me mbylljen e disa degëve të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës.

Aksioni policor për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë u zhvillua më 5 gusht, kur u mbyllën nëntë objekte.

Ndërsa Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Por, ky aplikim ende nuk është shqyrtuar dhe rrjedhimisht Kosova mbetet vendi i vetëm në rajon që nuk ka statusin e vendit kandidat.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!