Mbylli zyra serbe në Veri/ Kajtazi: Kurti është i etur për pushtet dhe do të jetë në qendër të vëmendjes

schedule16:34 - 31 Gusht, 2024

schedule 16:34 - 31 Gusht, 2024

Qeveria e Kosovës mbylli të premten pasdite pesë institucione paralele në veri të Kosovës, të cilat sipas qeverisë, ishin struktura paralele që punonin nën direktivat e Serbisë. Kjo ka sjellë reagime kundër kryeministrit Albin Kurti nga SHBA dhe Bashkimi Europian.

Lidhur me këtë çështje ka folur në “Ballkan Update”, edhe eksperti i sigurisë, Fadil Kajtazi, i cili ka theksuar se Kurti është i etur për pushtet dhe këto veprime të tij tregojnë se ka defekte të mëdha në personalitet.

“Nuk e kisha imagjinuar ndonjëherë që në Kosovë do të krijohet një klimë e këtill, kundër bashkësive ndërkombëtare. Unë i takoj brezit që kam dëgjuar Radio Tiranën, kam përcjell shtypin dhe reagimet në kohën e diktaturës komuniste dhe kjo gjuhë nuk është përdorur.

Një person që ka një inteligjencë mesatare, nuk do ta bëjë këtë që Kosova të futet në konflikt me fuqinë politiko-ushtarake më të madhe në botë. Një shtet që ka buxhet më pak se një klub basketbolli në SHBA, një shtet që mezi ka një milionë e gjysmë banorë… Mendoj që zoti Kurti ka defekte të mëdhaja në personalitetin e tij, është tepër i etur për pushtet. Ka paradokse shumë të mëdhaja në sjelljen e tij. Mendoj që është një njeri që është i etur për pushtet dhe është një nga ata njerëz që për të qene në qendër të vëmendjes nuk zgjedhin mjetin”.

Më tej, Kajtazi ka shtuar: “Në kohën e viteve të 90, zoti Millosheviç nuk ka pasur ushtri digjitale ai zakonisht organizonte mitingje, protesta, kundër bashkësi ndërkombëtare. Kur shikoj këtë ushtrinë digjitale që tani ka mbushur rrjetet sociale, është shumë e ngjashme me atë që ndodhte në atë kohë. Gjuha, intensiteti, konotacioni që i japin ngjarjeve dhe atëherë thoshin që po mbrojmë Serbinë, tokën e shenjtë serbe, bashkësia ndërkombëtare po na e merr, kjo është një komplot i Vatikanit, CIA-s, Amerikës dhe po ta shikosh me vëmendje dhe po ta krahasosh është i njëjti vokacion.

Kjo ushtria digjitale është një kombinim elektronik, ka qendra ku organizohen këto postime shqetësuese. Por ajo që është më shqetësuese është se pash një reagim fyes të njërit nga eksponentët e Vetëvendosjes që vjen nga Shqipëria, ndaj Francës, një gjuhë shumë vulgare, të cilën në qoftë se dikush do ta përdor atë mund ta përdor nga pozita e një zyrtari të Shqipërisë, por jo nga pozita e një zyrtari të Kosovës, të vijë dhe ta fyejë Francën”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!