Me prezantimin e një harte që provon vërtetësinë dhe influencën e figurës së Skënderbeut në Europën e shekullit XV u mbyll viti mbarëkombëtar i Skënderbeut. Ceremonia u zhvillua mbrëmjen e së martës në Kryeministri, aty ku harta dhe një përkrenare e punuar mjeshtërisht e Skënderbeut do të jenë të vizitueshme për publikun.
Me borxhe të shlyer është mbyllur Viti i Skënderbeut. Zakonisht jemi në borxhlinjtë, por këtë herë ndryshon, janë Roma dhe Napoli që duhet të shlyenin Gjergj Kastriot Skënderbeun.
“Me artefaktin që do të shfaqet sot këtu, në një farë mënyre, pas 500 vjetësh, jemi të larë. Roma dhe Napoli, deri diku, borxhin e kahershëm, ja shlyen, moralisht Gjergj Kastriotit”.
Këtë e thotë duke iu referuar çka thënë Fan Noli.
“Nëse ne vërtetojmë dokumentarisht, shtronte Fan Noli, siç e nënvizon edhe Kristo Frashëri, saktësinë e të paktën tri fushatave perandorake të sulltanëve osmanë kundër Krujës dhe dështimin e turpshëm të tyre para mureve të kalasë, atëherë, thekson ai, kemi vërtetuar se veprimtaria e Skënderbeut nuk është legjendë, por histori e vërtetë. Më ngjan, mua, që nuk jam historian, se artefakti, përkatësisht një hartë në lëkurë viçi ende të palindur, e vitit 1455, është ca më shumë se një dokument që vërteton të jashtëzakonshmen në veprën e Skënderbeut në të gjallë të tij”.
Me prezantimin e hartës që provon vërtetësinë dhe influencën e figurës së Skënderbeut në Europën e shekullit XV mbyllet viti mbarëkombëtar Skënderbeut por pa harruar simbolin unik.
“Përkrenarja që shihni në krahun tim të djathtë, na ka shoqëruar gjatë këtij viti, qysh prej përkujtimit gjithaq të veçantë të 550-vjetorit të kalimit n’amshim të Gjergj Kastriotit. Kjo përkrenare, krenari e kombit dhe sublimim simbolik i vijimësisë historike të shtetit shqiptar, është për ne edhe një krenari e artit dhe artizanatit vendas”.
Si fjalë përmbyllë kryeministri zgjodhi një citim nga Papa Kaliksti III adresuar Skënderbeut në vitet 1450-1457.
“Ne, bir i dashur, kemi patur gjithmonë mendim shumë të mirë për fisnikërinë tënde. Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt për të gjitha këto punë të mira që ti ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera që ti ke korrur. Qofsh pasqyrë e shembull për të gjithë princat e krishterë dhe për mbarë kombet dhe emri yt do të kurorëzohet prej famës së amëshuar!” Roma locuta, causa finita! (Pas fjalës së Romës, çështja quhet e mbyllur), thoshin dikur ca pleq me mjekër, buzëhollë e të ditur”. /abcnews.al