Në Japoni ka mbyllur dyert tregu historik i peshkut në Tokio, që çdo vit tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota për shkak të variacionit të ushqimeve me bazë peshku. Kompleksi do të zhvendoset në kuadër të një plani të ri të Bashkisë së Tokios në shërbim të Lojrave Olimpike 2020.
Tregu i famshëm i peshkut në Tokio ka mbyllur dyert të shtunën, për t’u zhvendosur në një zonë tjetër të kryeqytetit japonez. Tregu më i madh i peshkut në botë, i hapur prej 83 vjetësh, do të zhvendoset në kuadër të një projekti zhvillimi të qeverisë për Lojërat Olimpike të vitit 2020.
Tregtarët kanë mbajtur të shtunën ankandin e fundit për shitjen e peshkut tuna, aq të përdorur në ushqimin vendas, i njohur si sushi. Ata do të lëvizin për shkak të amortizimit të kompleksit të vjetër dhe kompleksi i ri ku do të vendosen do të jetë më modern dhe vetëm 2 kilometra larg.
Largimi i tregut historik ka qenë i planifikuar prej vitesh nga pushteti vendor në Tokio, por zbatimi i planit ishte shtyrë për shkak të protestave të shumta, që zgjatën deri në ditët e fundit.
Rreth 500 lloje të ndryshme ushqimesh detare shiten në tregun e famshëm të kryeqytetit japonez i ngritur në rajonin Tsukizhi, në një distancë të afërt me rajonin Ginza, ku ndodhen restorantet më luksoze të Tokios, të cilët kanë kërkesat kryesore për produktet dhe ndër vite kanë vendosur marrëdhënie të ngushta me tregtarët.
Tregu u ndërtua 83 vjet më parë pas tërmetit të madh të 1923-shit me streha metalike të ndërthurura me njëra-tjetrën. Me kalimin e viteve ai u kthye në një atraksion turistik, por për autoritetet ambjenti në të kishte degraduar për shkak të mbipopullimit./abcnews.al