Mbyllet rinumërimi në KAS, LSI nuk e fiton mandatin në Durrës

schedule18:55 - 26 Maj, 2021

schedule 18:55 - 26 Maj, 2021

Është mbyllur procesi i rinumërimit në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve për qarkun e Durrësit. Në përfundim të procesit, LSI nuk mundi që të siguronte një mandat në këtë qark.

Nga numërimi i 108 kutive të këtij qarku, LSI humbi një votë, PS 26 dhe PD 38 vota. Pra, bëhet fjalë për vota të cilat janë gjykuar si të vlefshme gjatë numërimit pas zgjedhjeve të 25 prillit, por në KAS janë vlerësuar tashmë si të pavlefshme.

Lëvizjes Socialiste për Integrim i duhej që të siguronte 136 vota në mënyrë që Elona Guri e para e kësaj force politike në Durrës të merrte mandatin që supozohej ta humbiste Partia Socialiste.

Me rinumërimin e kutive të qarkut Durrës janë mbyllur edhe kërkesat për rinumërim, ndërsa siç janë shprehur dhe anëtarët e KAS-it, duke parë edhe shembullin e Beratit, rezulton se ka pasur kryesisht gabime njerëzore dhe jo akte të qëllimshme për tjetërsim të vullnetit të votuesve.

Ndërkohë, në Kolegjin Zgjedhor janë depozituar paditë e para nga palët dhe pritet që nga e hëna të nisin të shqyrtohen. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!