Protesta e mbajtur kundër rritjes së çmimeve para kryeministrisë është mbyllur pas 60 minutash, ndërsa aktivistët që e kanë udhëhequr, kanë renditur disa propozime për qeverinë.
“Propozojmë heqjen e TVSH për miellin vezën, qumështin dhe të gjitha ushqimet e shportës ashtu si të gjitha vendet e tjera kanë lehtësuar barrën fiksale. Kërkojmë uljen e TVSH për energjinë elektrike për familjarët dhe bizneseve të vogla. Kërkojmë heqje te taksës së qarkullimit të cilën e paguajmë 2 herë, edhe heqjen e akcizës së gazit”, tha Rigels Xhemollari.
Ishte Adriatik Lapaj i cili mbajti dhe fjalimin e fundit në protestë. Gjatë një prononcimi për gazetarin e ABC Juxhin Mustafaraj ai i bëri thirrje qeverisë të përmbushë kërkesat e qytetarëve, duke paralajmëruar se protesta e ardhshme do të zhvillohet ditën e hënë, për t’i lënë disa ditë kohë për të publikuar masat.
“Unë nuk organizova asnjë protestë, unë dola kundërr ritjes së çmimeve por skam organizuar asgjë. Unë me qytetarët e tjerë u ndodhëm në të njëjtin vend. Unë mendoj se qeverisë ti lihet kohë deri ditën e henë për të dalë me një paketë masash dhe për të reflektuar. Ditën e hënë unë do jem përsëri këtu për të ushtruar të drejtën time kushtetuese. Mendoj se ska vend për rritjen e çmimit të bukës. Jemi i vetmi vend në rajon që e taksojmë bukën 20% Italia 4% Greqia 13%. Ky është një mekanizëm që mund të ndërhyhet dhe çmimi të mos bjerë mbi qytetarët”, tha Lapaj.
Lapaj është shprehur se mënyra për të zgjidhur problemet është të kundërshtojmë rritjen e çmimeve. Qytetarët që morën pjesë në protestë janë shpërndarë, ndërsa Lapaj bëri të ditur se ditën e hënë, në orën 17:00, do të rikthehen sërish përballë kryeministrisë, për të protestuar sërish në rast se qeveriaa nuk reflekton.
Paralajmërimi për një rritje të çmimit të energjisë elektrike për shkak të krizës globale të energjisë ishte nxitja e fundit për qytetarët që të dalin në protestë. Ndonëse protesta e sotme para Kryeministrisë është organizuar nga vetë qytetarët asaj i janë bashkuar dhe politikanë. Mes protestuesve në bulevard kundër rritjes së çmimit të energjisë të paralajmëruar nga kryeministri kanë qenë dhe deputetë të PD-së. Nga ana e tyre qytetarët thanë se në protestë nuk janë për qëllime politike, por për rritjen e çmimeve. /Be.K/Abcnews.al