Mbyllet kontrata për blerjen e raketave ruse

schedule23:30 - 3 Prill, 2019

schedule 23:30 - 3 Prill, 2019

Turqia ka mbyllur kontratën për blerjen e sistemeve raketore ruse, duke shpërfillur thirrjet e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për të hequr dorë. Megjithatë, Ankaraja është përpjekur të qetësojë Perëndimin duke thënë se pajisjet ruse nuk do të integrohen në sistemet e NATO-s.

Turqia ka kompletuar pjesën e saj të kontratës për blerjen e sistemit raketor të mbrojtjes “S-400” nga Rusia. Lajmi është konfirmuar nga ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavushoglu’, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara që Ankaraja të hiqte dorë nga blerja. Për të qetësuar Uashingtonin, Turqia ka propozuar ngritjen e një grupi pune që do të verifikojë se sistemet ruse “S-400” nuk përbëjnë kërcënim as për pajisjet ushtarake të Shteteve të Bashkuara e as për ato të NATO-s. “Armatimet ruse nuk do të integrohen në sistemet e NATO-s, ndaj ato nuk përbëjnë kërcënim për askënd”, ka thënë Çavushoglu, duke shtuar se sistemet “S-400” nevojiten për përdorim personal.

Ankaraja zyrtare ka deklaruar se armatimet ruse i nevojiten për t’u mbrojtur nga kërcënimet që i kanosen sigurisë së saj dhe vazhdimisht presidenti Recep Taip Erdoan ka hedhur poshtë thirrjet e administratës amerikane për t’u tërhequr nga kontrata me Moskën. Çavushoglu, i cili ndodhet në Uashington për samitin e NATO-s, ka nënvizuar se është gati të sqarojë zyrtarët amerikanë për blerjen gjatë vizitës së tij. Për të rritur presionin ndaj Turqisë, Shtetet e Bashkuara ndaluan në ditët e fundit shitjen e pajisjeve për avionët luftarakë “F-35”, por mesa duket as kjo lëvizje nuk mjaftoi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!