Një 53-vjeçar i identifikuar si Arben Dragoni është arrestuar nga policia pasi akuzohet se prodhonte detergjentë dhe shampo të markave të ndryshme në banesë duke i mbushur me ngjyrues dhe sapunë dhe më pas i shiste.
Operacioni është finalizuar mëngjesin e sotëm nga seksioni për Krimin Ekonomik në Policinë e Tiranës. Duket se 53-vjeçari nuk kishte zënë mend për shkak se është arrestuar edhe 6 vite më parë për të njëjtën shkelje.
Njoftimi i policisë
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Arben Dragoni 53 vjeç, i cili është kapur në flagrancë me produkte të ndryshme kozmetike dhe detergjentë me etiketa/ambalazhe që dyshohet se i ka falsifikuar.
Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur depozita me lëng për prodhim detergjentësh, etiketa, ambalazhe dhe stampa të këtyre produkteve, të cilat prodhoheshin në mënyrë artizanale në këtë banesë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

/abcnews.al

