Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me organizatën “Terre des Hommes” në Shqipëri ka organizuar trajnimin e radhës në kuadër të fushatës sensibilizuese të mbrojtjes dhe sigurisë së fëmijëve në futboll.
Në këtë trajnim që u organizua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” morën pjesë përfaqësues të departamenteve të ndryshme në FSHF që punojnë me futbollin e fëmijëve, përfaqësues nga klubet e kampionatit “Abissnet Superior” dhe përfaqësues nga akademitë e futbollit në Tiranë.
Pjesëmarrësit u njohën me njohuritë bazë për çështjen e mbrojtjes së fëmijëve në futboll, për të rritur ndërgjegjësimin dhe parandalimin e rasteve të abuzimit apo diskriminimit të fëmijëve në futboll.
Prej kohësh FSHF ka hartuar politikat e saj për mbrojtjen dhe ruajtjen e sigurisë së fëmijëve në futboll, duke u bazuar edhe në direktivat dhe udhëzimet e UEFA-s dhe FIFA-s, ndërsa këtë radhë pjesë e fushatës janë klubet dhe shoqatat rajonale. /FSHF