Mbrojtja e Europës: Si është gjendja e sigurisë?

schedule15:48 - 2 Korrik, 2023

schedule 15:48 - 2 Korrik, 2023

Evropa nuk është e paprekshme. Ky është mësimi kryesor i nxjerrë nga sulmi rus mbi Ukrainën. Dhe Evropa reagon. Kryesisht duke dhënë para. Qeveria gjermane për shembull ka dhënë fonde speciale prej 100 milionë eurosh për të mbyllur boshllëqet më të mëdha.

Dhe në të ardhmen Gjermania do të japë dy përqind të produktit kombëtar për ushtrinë, një detyrë që e kanë përcaktuar në vitin 2014 vendet anëtare të NATO-s. Në vitin 2022 katër vende europiane anëtare të NATO-s e arritën synimin e dy përqindshit.

Si reaksion ndaj luftës së Ukrainës, tani 20 shtete të Bashkimit Europian, BE, kanë premtuar të rrisin shumë buxhetin e tyre ushtarak.

Por, paralajmëron raporti i ri europian, European Defense Report që publikohet nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, shtimi i mjeteve financiare është vërtet shumë i rëndësishëm. Por çështja është si mund të përdoren paratë në mënyrë sa më eficiente.

Mësime nga lufta e Ukrainës

Për të përpiluar raportin e saj, Konferenca e Sigurisë në Mynih, MSC, ka parë fillimisht si është duke u zhvilluar lufta në Ukrainë. Autorët e raportit kanë nxjerrë nga lufta tri leksione kryesore, thotë Leonard Schütte, i cili ka dhënë kontribut të madh për raportin: “I pari thotë se të ashtuquajturat “mallra të vjetra ushtarake”, pra tanke, artileri, mbrojtje kundërajrore, do të vazhdojnë të luajnë rol të madh.”

Leksioni i dytë duket vetëm shkarazi sikur është në kundërshtim me leksioni e parë, sepse bën fjalë për “pajisje të reja ushtarake”: “Ne jemi duke parë pikërisht në Ukrainë, se njëkohësisht dronet shumë ekonomike dhe Loitering Munition (municionet rezerve) janë duke luajtur rol shumë të madh.”Si leksion të tretë autorët e MSC thonë se “komunikimi i bazuar tek satelitët është shumë i rëndësishëm për të manovruar dronet por edhe për të siguruar komunikimin midis pjesëve të ndryshme të trupës,” thotë Schütte në një intervistë për Deutsche Wellen.

Ushtria ukrainase për shembull përdor shumë rrjetin e ndërtuar nga sipërmarrësi amerikan Elon Musk, të satelitëve që ndodhen afër tokës të sistemit Star-Link. Eksperti i MSC, Schütte, shpjegon se në afat të mesëm BE do të bëhet e varur nga sipërmarrjet private. “Ekziston një nismë europiane për të lëshuar 170 satelitë në këtë orbitë të afërt me token. Kështu BE do të mbushë edhe këtë boshllëk specializimi.”

Industri armatimi e copëzuar

Nëse realizohet kjo gjë, atëherë kjo do të ishte një shembull i rrallë për bashkëpunimin e arritur brenda BE. Pikërish në çështjet e armatimit, bashkëpunimi është i vështirë të arrihet. BE nuk ka një ushtri evropiane; 27 vendet anëtare kanë ushtritë e tyre kombëtare. Dhe as një dyzinë vendesh të BE-së kanë industri të vetën armatimi. Si pasojë fragmentimi është shumë i madh, thotë politikani socialdemokrat, Hans-Peter Bartels. “Pengesë e madhe është seksionalizimi i industrisë. Ne kemi tepër shumë kompani sistemesh në Europë, kompani që marrin aq pak porosi sa që e kanë të vështirë të mbijetojnë në kohë të vështira. Dhe tani që janë duke u dhënë më shumë para, ato me të drejtë nuk shohin nevojë që të shkrihen me njëra tjetrën. Por kjo gjë e shtrenjton të gjithën dhe e bën konfuze nga pikëpamja teknike.”

Bartels e di për çfarë flet. Për pesë vjet me radhë, deri në vitin 2020 ai ka qenë i ngarkuar na parlamenti gjerman me çështjet e mbrojtjes. Në bisedë me Deutsche Wellen ai thotë: “Ne kemi nevojë vërtet për firma europiane! Ashtu siç është Airbus në sektorin civil një firmë europiane që prodhon avionë për tregun botëror. Të njëjtën gjë duhet ta kemi të paktën për sistemet e mëdha komplekse të armëve, duke patur maksimalisht dy ose tre firma europiane që të jenë në gjendje të konkurojnë njëra tjetrën në nivelin më të lartë.

Bashkëpunim? 

Në fjalimet që mbahen gjithnjë premtohet bashkëpunim evropian. Kancelari gjerman Olaf Scholz, për shembull kërkoi në deklaratën qeveritare të 22 qershorit: “Përpjekjet tona në fushën e mbrojtjes në Europë duhet të lidhen me njëra tjetrën, ne duhet t’i japim një perspektive afatgjatë industrisë së mbrojtjes në Europë dhe duhet të përshpejtojmë prodhimin e saj,” theksoi kancelari gjerman.

Por idetë e mira përplasen në praktikë menjëherë me egoizmat kombëtare. Eksperti për çështjet e sigurisë tek MSC, Schütte thotë: “Në kuadër të kërkimeve të bëra për të shkruar raportin ne pamë në të kaluarën për të gjetur nëse ka patur ndonjë shembull pozitiv bashkëpunimi në fushën e armatimit, shembull prej ku mund të nxirren leksione. Por gjetëm shumë shumë pak raste.”

Fragmentimi i madh bën jo vetëm që shpenzimet të jenë më të mëdha, pa qenë nevoja, thotë autori i raportit Schütte. Ai shqetësohet edhe për kostot e mëdha për ushtrinë: “Ne e shohim këtë në gjëra shumë të thjeshta, si për shembull tek municioni për artilerinë. Municioni që blihet në Gjermani, nuk mund të përdoret nga artileria e vendeve të tjera, sepse standartet janë të ndryshme. Kjo është absurde.”

Por edhe aty ku shkruhet bashkëpunim, përçarja është shpesh brenda. Për shembull projekti gjermano-francezo-spanjoll FCAS për zhvillimin e përbashkët të një sistemi të ardhshëm të mbrojtjes kundërajrore, është kthyer në shesh grindjesh të pafundme për të drejtat e patentimit, për pjesën e punës dhe përgjegjësisë, thotë eksperti për çështjet e mbrojtjes, Bartels. “Kjo duhet të marrë fund! Projekte të tilla duhet të jenë në dorë të një firme vërtet europiane, që merr përsipër të gjithë përgjegjësinë,” thotë kryetari i Shoqatës gjermane për politikën e sigurisë, GSP, Bartels.

Probleme të mëdha ka edhe në projektin e përbashkët gjermano-francez për të ndërtuar së bashku një tank luftarak modern, të njohur me shkurtimin MGCS, shkurtim i krijuar nga inicialet e Main Ground Combat System. Projekti po zvarritet dhe industria gjermane e armatimit është duke prodhuar ndërkohë tanke alternativë.

Kur, po qe se jo tani 

Lufta e Ukrainës ia ka bërë më në fund të qartë të gjithëve domosdoshmërinë e një bashkëpunimi më të mirë dhe sidomos më efektiv. Leonard Schütte sheh këtu një mundësi: “Nëse nuk e ndryshojmë tani bashkëpunimin tonë, atëherë kur do ta bëjmë?”

Schütte sheh ndryshimet e para. “Duke reaguar ndaj luftës në Ukrainë, BE ka filluar për herë të parë ta japë mjete financiare për ta bërë interesant sigurimin e përbashkët të produkteve. Kjo nuk ka ndodhur më parë.”

Raporti European Defense Report flet edhe për një problem tjetër: Boshllëqet në krijimin e rezervave dekadave të kaluara janë aq të mëdha, saqë disa shtete janë duke dhënë porosi të mëdha armatimi në vendet jashtë BE-së. Sepse mallrat e kërkuara të armatimit vihen atje më shpejt në dispozicion. Por kjo gjë dobëson industrinë europiane të armatimit, dhe krijon varësi në afat të gjatë.

Një dilemë që krijohet midis shpejtësisë dhe sovranitetit europian. Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius e ka marrë vendimin. Dhe ka vendosur për tempon. “Faktori kohë”, thuhet në një udhëzim të Ministrisë së Mbrojtjes të fundit të prillit, “ka prioritet të madh dhe është me efekt të menjëhershëm faktori vendimtar në të gjitha projektet ekzistuese dhe projektet e reja të armatimit të ushtrisë gjermane, për t’i bërë produktet e siguruara të përdorshme për trupat sa më shpejt të jetë e mundur.”/dw

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!