Mbreti saudit i bën thirrje Iranit që t’i japë fund “qasjes negative” në rajon

schedule08:57 - 30 Dhjetor, 2021

schedule 08:57 - 30 Dhjetor, 2021

Mbreti Salman i Arabisë Saudite i ka bërë thirrje Iranit që t’i japë fund “qasjes negative” në rajon, pasi Riadi ka akuzuar Teheranin se po u ndihmon rebelëve nga Jemeni për të kryer sulme vdekjeprurëse në shtetin e tij.

Megjithatë, monarku 86-vjeçar ka folur me tone më të buta kundrejt Republikës Islamike, pasi u ka bërë thirrje liderëve botërorë një vit më parë, që të kenë “qëndrim të ashpër” ndaj Teheranit.

“Ne shpresojmë se Irani do të ndryshojë politikën dhe sjelljen e keqe në rajon dhe do të drejtohet nga dialogu dhe bashkëpunimi”, ka thënë ai, sipas një deklarate.

Riadi dhe Teherani janë armiq për dekada dhe mbajnë anë të kundërta në konfliket rajonale, përfshirë atë në Jemen, ku Arabia Saudite udhëheq një koalicion ushtarak kundër rebelëve Huthi, të cilët përkrahen nga Irani.

Të dyja vendet kanë mbajtur një varg bisedimesh prej muajit prill, me qëllim të përmirësimit të marrëdhënieve.

“Ne jemi duke vëzhguar mbështetjen e regjimit të Iranit për milicinë terroriste Huthi, e cila është duke vazhduar luftën në Jemen dhe është duke përkeqësuar situatën humanitare”.

Jemeni është përfshirë në luftë civile prej vitit 2014.

Dhjetëra mijëra persona janë vrarë në atë që Kombet e Bashkuara e kanë përshkruar si krizën më të keqe humanitare në botë, pasi mbi 80 për qind e popullsisë së Jemenit varet nga ndihmat./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!