Mbreti Karl III emëron Keir Starmer si kryeministër të vendit

schedule13:51 - 5 Korrik, 2024

schedule 13:51 - 5 Korrik, 2024

Keir Starmer është emëruar zyrtarisht si kryeministër nga Mbreti Karl në Buckingham Palace pas një fitoreje dërrmuese në zgjedhjet e përgjithshme të djeshme në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri Keir Starmer është larguar nga Buckingham Palace për të shkuar në Downing Street.

Ai u shoqërua nga bashkëshortja e tij.

Partia Laburiste i dha fund qeverisjes 14-vjeçare nga Partia Konservatore. Laburistët e qendrës së majtë i kanë fituar shumicën dërrmuese në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh, ndërsa Partia Konservatore e Rishi Sunakut e ka pësuar disfatën më të rëndë në historinë e vet.

Britania ka përjetuar disa vite të trazuara, pjesërisht për fajin e konservatorëve,  që kanë shkaktuar pesimizëm në mesin e shumë votuesve për të ardhmen e vendit të tyre.

Dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, pasuar nga pandemia e COVID-19 dhe pushtimi rus i Ukrainës i dhanë goditje të rënda ekonomisë, ndërsa festat që shpërfillën rregullat e izolimit, të organizuara nga kryeministri i atëhershëm Boris Johnson dhe stafi i tij, shkaktuan zemërim të gjerë.

/abcnews.al