Në fjalimin e tij të fundvitit Mbreti i Spanjës Felipe VI u bëri apel katalanasve të mos kërkojnë pavarësi nga Spanja. Ai shtoi se vendi duhet të jetë i bashkuar në mënyrë që të ketë stabilitet dhe mirëqënie.
Në fjalimin e tij të urimit për Krishtlindje, Mbreti i Spanjës Felipe VI bëri apel për unitet. Duke iu drejtuar katalanasve ai u kërkoi që të mos synonin pavarësinë nga Madridi. Në fjalën e tij ai theksoi se disa ditë më parë katalanasit votuan për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në parlament dhe tashmë rruga që kanë zgjedhur nuk duhet të sjellë as përcarje dhe aq më pak, përjashtime. Mbreti i Spanjës shtoi se në shoqërinë katalanase duhet të mbizotërojë bashkëjetesa në të gjithë diversitetin e saj në mënyrë që të ketë stabilitet dhe mirëqënie.
Mbreti Felipe VI në këtë mënyrë është përpjekur të rikuperojë një qëndrim mbi palët pas kritikave të shumta që iu drejtuan në fillim të krizës, pas ndërhyrjes së tij të parë. Ndërhyrje që u cilësua si shumë e zbehtë për atë që duhej të ishte qëndrimi i qeverisë së Madridit./abcnews.al