E ka një precedent dhe ndodhi mrekullia. Reali I Madridit është mundur vetëm një herë më parë, 3-0 jashtë fushe në Europë, në 1984-1985 në Kupën UEFA nga Anderlehti në Belgjikë, veçse në “Santiago Bernabeu” realizoi një përmbysje të pabesueshme me shifrat 6-1.
Atë që bëri atëherë brezi I Santilianës, Hugo Sançezit, Valdanos apo Butragenjos, u takon që ta bërë brezi I sotëm I Mbapesë, Vinisiusit e Belinghamit.
Katastrofa në Londër ishte e njëjtë me atë në Bruksel 40 e ca vjet më parë, 0-3.
Arsenali luajti një ndeshje të madhe, dhe siç e thotë Belingham, Reali ishte me fat që pësoi vetëm tre gola.
Deklan Rajs me dy goditje dënimi dhe Mikel Merino ishin ekzekutuesit e spanjollëve që janë shumë pranë eliminimit nga Championsi, edhe pse janë kampionë në fuqi.
Çfarë ndodhi me Realin?
Mediat spanjolle shkruajnë se Arsenali vrapoi mbi 113 km, ndaj vetëm 101 të madrilenëve, dhe se londinezët kanë pësuar vetëm 29 gjuajtje drejt portës së tyre këtë sezon në Europë, ndërsa “merengesit” plot 79.
Trajneri Karlo Ançeloti komenton shkurt.
“Mundësitë janë shumë të pakta, por duhet që ta provojmë. Padyshim që do ta provojmë në çdo mënyrë. Është një mënyrë për të reaguar pas një ndeshjeje të keqe. Ka pasur raste që ia kemi dalë”.
“Për Realin nuk ka asgjë të pamundur, – është inkurajimi I të përditshmes “Marka”, vetëm pak orë pas katastrofës, – Të turpëruar, goditje e fortë e Arsenalit, dështim I Madridit!”
“Të detyruar për një tjetër mrekulli, – është titulli nga “AS”, – dy goditje dënimi nga Rajs dhe një gol nga Merino rrëzojnë një Real të dobët në “Emirejts”!
Ka analistë që flasin se Realin po e dëmton xhelozia mes Vinisiusit dhe Mbapesë, por le të presim ndeshjen e kthimit në Madrid, që luhet në 16 prill.