Mbretëria e Bashkuar ka dyfishuar ndihmën e saj për palestinezët. Kështu ka deklaruar kryeministri Rishi Sunak, teksa kërkon që t’i jepet fund vuajtjes së civilëve të pafajshëm.
Vendi tashmë ka krijuar një paketë financimi për të ofruar ushqim, ujë, kujdes shëndetësor dhe strehim për njerëzit në Gaza dhe Rishi Sunak nuk specifikoi se për çfarë do të shpenzohen 30 milionë paund shtesë, shkruan Sky News.
Ai e bëri njoftimin në hapjen e Samitit Global të Sigurisë Ushqimore në Londër, duke thënë se situata në Gaza po “përkeqësohet” dhe nevojitet akses humanitar.
“Ne e kemi të qartë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet. Ai është sulmuar në mënyrën më brutale të mundshme nga një armik që fshihet në spitale. Ai duhet të veprojë edhe në kuadër të ligjit ndërkombëtar humanitar. Situata në terren është vërtet tragjike dhe po përkeqësohet. Ne po bëjmë presion fort për akses të papenguar humanitar në Gaza. Dhe për pauza urgjente dhe thelbësore humanitare për të marrë ushqim, karburant dhe ilaçe, sepse vuajtjet e civilëve të pafajshëm duhet të marrin fund”, theksoi ai./abcnews.al