Nuk mund të jetë çdo javë në maksimum. Berat Gjimshiti nuk mundi të përsëriste këtë mesjavë mrekullinë që realizoi në sfidën ndaj Romës, por gjithsesi nuk u turpërua.
Kapiteni i Kombëtares shqiptare luftoi fort në ndeshjen që Atalanta e fitoi bindshëm në kampionatin italian në fushën e Bolonjës, e pavarësisht ndonjë gabimi, u vlerësua mjaft mirë.
Mbrojtësi kuqezi e pati të vështirë ndaj lojtarëve ofensivë vendas, ndonjëherë në pjesën e parë e në të dytën, dhe I qëlloi të bënte ndonjë gabim kur pati topin në këmbë, por sidoqoftë, u mbajt fort deri në fund.
Mediat sportive në Itali i dhanë atë që i takonte. “La Gazeta delo Sport” theksoi se përveç sulmuesit Krstoviç që shënoi dy gola, dhe portierit Karnezeki, u dallua edhe I gjithë reparti I mbrojtjes, pra edhe shqiptari.
“Skaj Sport” i dha një notë që duhet cilësuar shumë e mirë, 6.5, duke konfirmuar atë që komentoi “La Gazeta”.
Agjencia e statistikave “Sofaskor” i jep një notë tepër të lartë, 7.5, duke e nxjerrë më të mirin e mbrojtjes, dhe më të mirin në fushë pas Krstoviçit e Bernaskonit.
Për “Eurosportin” është disi më pak i mirë me vlerësimin 6, ndonëse kjo nuk është aspak për t’u hedhur poshtë.
Atalanta ia doli 2-0 në stadiumin “Dal Ara”, dhe u ngjit në kuotën e 28 pikëve. Zona Champions është ende 8 pikë larg, por siç thuhet “shpresa vdes e fundit”./abcnews.al


