Mblidhet Shtabi i Emergjencave, Veliaj: E gjithë bashkia në terren

schedule09:11 - 26 Nëntor, 2019

schedule 09:11 - 26 Nëntor, 2019

Prej orës 4 të mëngjesit të sotëm të gjitha ndërmarrjet dhe forcat e emergjencave të Bashkisë Tiranë janë në terren për ti ardhur në ndihmë qytetarëve dhe familjeve të dëmtuara nga tërmetet orëve të fundit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mblodhi pak më parë Shtabin e Emergjencave ku bëri dhe një përmbledhje të situatës së krijuar në territorin e bashkisë, ndërsa theksoi se të gjitha forcat e bashkisë janë shpërndarë në gjithë territorin për ti ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë.

“Ne nuk kemi në dorë tërmetet dukuritë natyrore por kemi në dorë si përgjigjemi. Fakti që sot gjithë Bashkia ka që në orën 4 të mëngjesit operative dhe me fokus tek njerëzit, solidariteti me ta është pjesë e kësaj përgjigje. Do të doja shumë që sot të kalonim gjithë ditën në terren. Unë do u bashkohem në të gjithë njësitë dhe të bënim një vlerësim sa më të shpejtë që të kemi mundësi dhe të përgjigjemi sa më shpejt atje ku duhet dhe ku është edhe nevoja më imediate”, tha Veliaj.

Ai theksoi se për fat të mirë në Tiranë nuk ka pasur viktima me humbje jetësh, ndërsa janë regjistruar vetëm të lënduar dhe dëmtime materiale në banesa, godina të tjera shërbimi apo edhe orendi shtëpiake. Për këtë ai theksoi se do bëhet një skanim i të gjitha ndërtimeve të dëmtuara.

“Duke qenë se shkollat, kopshtet e çerdhet janë anuluar kam kërkuar që grupi i punës i drejtuar nga Fetiu të bëjë një skaner të të gjithë godinave. Na rezultojnë dëmtime minimale megjithatë do përfitojmë nga anulimi i shkollës sot dhe ditë te pushimit që janë përpara, që ne të shfrytëzojmë maksimalisht sjelljen e shkollave në gjendjen optimale dhe për të mos marrë asnjë risk. Më rezulton shkollat publike, nuk kemi shembje por kemi problematika në disa shkolla private. Dua pavarësisht se ato janë me pronar privat, aty shkojnë fëmijët e Tiranës, ndaj dua edhe një vlerësim nga ju, edhe tek një ose dy shkolla private që janë raportuar të dëmtuara dhe pastaj edhe një planifikim që këta nxënës të përdorin shkollat publike”, u shpreh Veliaj.

Gjithashtu ai bëri të ditur se të gjitha qendrat sociale të bashkisë janë të hapura për të pritur çdo person I cili ka nevojë për ndihmë dhe strehim. “Kemi hapur qendrat sociale në Tiranë, do i mbajmë të hapura 24 orë. Unë do vij vetë të vizitoj disa nga qendrat, do i japim përparësi sidomos të moshuarve, atyre që janë, sidomos familje të vetmuara, do të doja t’u bëja thirrje të gjithë qytetarëve që për të gjithë të moshuarit që kanë në komunitetet e tyre të bëjnë një kontroll”, shtoi Veliaj.

Kryebashkiaku bëri të ditur se janë urdhëruar të gjitha emergjencat që menjëherë sapo të bëhet evidentimi i situatës të nisin edhe shpërndarja e ndihmave.

“Dua që të hapet rezervat e qytetit, ndaj në momentin që ne kemi identifikuar nevojat, rezervat e qytetit bëjnë një shpërndarje në të gjithë familjet, sidomos në zonat e fshatit. Ne të gjithë flasim për ndërtime, por në fakt dëmi më i madh janë ndërtimet e vjetra, s’kemi pasur tek ndërtimet e reja, ndaj ndërtimet e vjetra në fshat dhe ndërtimet e vjetra të kohës së viteve para ’90 janë ato që kanë edhe dëmtime të mëdha. Me hapjen e rezervave çfarë ka nevojë, krevate, batanije, ushqime, ne të jemi në supergatishmëri”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!