Partia Demokratike këtë të shtunë ka mbledhur Këshillin Kombëtar për të miratuar rregullat në përputhje me statutin e PD të zhvillimit të primareve para zgjedhjeve lokale.
Sali Berisha tha se primaret janë sistemi më demokratik që mund të funksionojnë brenda një force politike.
Berisha: Sot miratojmë rregullat në përputhje me statutin e PD, të zhvillimit të primareve për zgjedhjet vendore dhe disa prej tyre janë të njëjta për zgjedhjet e deputetëve. Ne sot në përputhje me vendimet statutore shënojmë një hap të madh si forcë politike e rithemeluar. Unë kërkoj nga ju që termin rithemelim të mos e lexojmë si një meritë e jona. Termin rithemelim duhet ta lexojmë dhe ta kuptojmë si një detyrim madhor i çdo demokrati për të bërë gjithçka që forca jonë politike t’i paraqitet shqiptarëve mbi parimet e saj të vërteta.
Kërkohet një ndryshim i madh në mënyrë që të tregojmë vitalitetin tonë për tu paraqitur si një forcë vërtet e ndryshuar, si një forcë politike që qëndron e përkushtuar ndaj lirisë dhe vlerave të saj për qytetarin shqiptar. duhet të vrasim frikën dhe ajo vritet me fjalën tonë në çdo skaj të Shqipërisë, me qytetarët dhe grupet e interesit.
Berisha u shpreh i bindur se opozita do të fitojë për shkak të “të këqijave që kryeministri i ka bërë vendit.”
Berisha: Nuk ka nevojë Edi Rama të na dhurojë asgjë më shumë se sa të këqijat që i ka bërë këtij populli dhe kësaj qeverie. PD sot është larg në aktivitetet e asaj që duhet të jetë. Kur unë them PD kam parasysh seksionin dhe grup seksionin e PD. Si të jenë ata do të jemi ne. Thelbi i PD para së gjithash është si funksionojnë qelizat tona, njësitë tona, ashtu do funksionojë në thelb partia.
Berisha theksoi se pas mbledhjes së sotme është e rëndësishme që krerët e degëve të mbledhin kryesinë.
Berisha: Është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, krerët e degëve të mbledhin kryesinë dhe të bëjnë një plan të detajuar pune për të gjithë aktivitetin dhe takimet në nivel seksioni dhe grup-seksioni.
Në fund, kreu i PD-së theksoi se kushti themelor është zbatimi i statutit të PD të votuar nga Kuvendi i PD.
/Abcnews.al/