Mbledhjet fizike me deputetë të vaksinuar, Rushaj: PS bëri kthesë, do zbatojë ligjin

schedule11:56 - 29 Shtator, 2021

schedule 11:56 - 29 Shtator, 2021

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Alfred Rushaj në një prononcim për mediat u shpreh se i vjen mirë që PS bëri kthesë, duke u tërhequr për mënyrën e zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve.

Mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord sot se do t’i propozojnë Konferencës së Kryetarëve që mbledhjet të jenë fizike javën tjetër, por që deputetët të jenë të pajisur me certifikatë vaksinimi.

Rushaj nuk e cilësoi si betejë të fituar, por tha se PS ra dakord që të zbatojë ligjin. Kreu i grupit të PD, tha se ishte nënkryetari i Kuvendit, Enkelejd Alibeaj që ka bërë një propozim të tillë, por nuk është pranuar nga mazhoranca.

Lexo edhe: Balla: Javën tjetër mbledhjet fizike me certifikatë vaksinimi, PD me shpirt të trazuar

“Më vjen mirë që pati një kthesë nga PS. Nuk e konsideroj si betejë të fituar. Ata kanë rënë dakord që të zbatojnë ligjin. Është diçka që drejtuesit e PS duhet ta kishin bërë që në fillim dhe të mos i ishin futur fare këtij debati. Dje dhe sot ka pasur zhvillime të paligjshme, të cilat përveçse frikës për debat, përpjekjes që zëri i opozitës të mos dëgjohet nuk shoh qëllim tjetër.

Ne asnjëherë nuk kemi qenë kundër vaksinimit. Ka qenë një propozim i Alibeajt në Konferencën e Kryetarëve që në respekt të çdo protokolli të mund të zhvillohen këto mbledhje. Por për fat të ke kemi gjetur një refuzim të PS që të zbatojnë rregulloren qoftë edhe në përputhje me standardet.

Presim ditën e hënë për mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të diskutuar më në detaje si do të jenë mbledhjet në vazhdim,” tha Rushaj.

Mbledhjet e komisioneve parlamentare gjatë kësaj kanë sjellë përplasje, pasi PD ka kërkuar që të jenë me prani fizike, ndërsa mazhoranca i zhvillon online. Deputetëve të opozitës nuk u është dhënë fjala, ndërsa në komisionet e drejtuara prej tyre mazhoranca nuk është paraqitur. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!