Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Elisa Spiropali u prit paraditen e sotme në Prishtinë nga Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në një takim me fokus thellimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës, përgatitjet për takimin e radhës ndërqeveritar dhe riaktivizimin e mekanizmave strategjikë të përbashkët.
“Ka ardhur koha që brenda 2026 të kemi mbledhje të dy qeverive. Marrëveshjet e nënshkruara janë duke u implementuar, shohim mundësitë për marrëveshje të reja.
Të dy ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës Spiropali theksoi se “për ne Kosova nuk është zgjedhje protokolli, por zgjedhje historie, një deklarim i qartë se ku qëndron prioriteti ynë kombëtar.”
“Ne nuk po ndërtojmë një marrëdhënie nga e para. Ne po forcojmë një bosht kombëtar. Një aleancë të natyrshme mes dy shteteve sovrane, mes dy republikave motra, që ndajnë histori, identitet, sakrificë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen. Të dyja qeveritë tona prej kohësh kanë zgjedhur një politikëbërje të bazuar te realiteti. Realiteti i një kohe. Realiteti i një populli. Realiteti i një shteti që ekziston, që funksionon dhe që nuk është objekt debati, por subjekt i së drejtës ndërkombëtare.
Kosova është prioritet absolut i politikës së jashtme të Shqipërisë. Kjo nuk është retorikë solidariteti dhe as formulë diplomatike. Është orientim strategjik i qëndrueshëm shtetëror.”
Spiropali theksoi se “forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është interes kombëtar i drejtpërdrejtë i Shqipërisë.”
“Çdo njohje e re, çdo anëtarësim i ri, çdo hap drejt konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës është investim në sigurinë, në dinjitetin dhe në stabilitetin e gjithë hapësirës sonë dhe të rajonit.
Shqipëria do të intensifikojë angazhimin diplomatik për zgjerimin e njohjeve dhe për përparimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Barazia ndërkombëtare e Kosovës nuk është çështje simpatie. Është çështje drejtësie. Është çështje respekti për realitetin politik të krijuar me sakrificë”, tha Spiropali.


