Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka njoftuar vendimin e marrë sot në mbledhjen online të liderëve të Ballkanit Perëndimor ku kanë marrë pjesë edhe kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama dhe ai maqedonas Zoran Zaev. Vuçiç thotë se është vendosur që kufijtë mes këtyre vendeve të qëndrojnë hapur në mënyrë që të luftojnë pandeminë pa dëmtuar ekonominë.
“Është shumë e rëndësishme që kemi rënë dakord të mos i mbyllim kufijtë me njëri-tjetrin, por të luftojmë së bashku pandeminë dhe të vazhdojmë të përmirësojmë tregtinë tonë.
Ne jemi kombe të vegjël, të cilët zakonisht janë ndikuar shumë nga forca të ndryshme që kanë dashur të ndjekin interesat e tyre gjatë gjithë historisë. Sot, kjo nuk ka ndryshuar shumë, por është e rëndësishme që, duke u kujdesur për veten, të përpiqemi të ruajmë pavarësinë tonë dhe të marrim vendimet tona.
Dhe me kë do të marrim vendime nëse jo me ata që janë më afër nesh. Kjo thellon besimin dhe marrëdhëniet e mira midis Tiranës, Shkupit dhe Beogradit”, shkruan Vuçiç./mv.abcnews.al