“Demokratët janë të paqartë”, Basha sërish debate me Nokën: Nuk dal t’i hedh benzinë zjarrit

schedule13:17 - 25 Shtator, 2021

schedule 13:17 - 25 Shtator, 2021

Sërish debate në Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike mes Flamur Nokës dhe kreut Lulzim Basha. Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se Noka i ka thënë liderit të demokratëve që në mbledhje po diskutohet si të jetë situata normale, por sipas tij, demokratët janë të paqartë.

Kurse, Basha i është kthyer Nokës, i cili ka dalë hapur në mbështetje të liderit historik Sali Berisha, se ka dalë të flasë me demokratët por shton se nuk do të dalë për t’i hedhur benzinë zjarrit.

Pjesë nga debati:

Flamur Noka: “Ne po diskutojmë dhe po sillemi sikur jemi në një situatë normale, flasim për strategji, flasim për aksione ndërkohë që vetë demokratët janë të paqartë. Ti nuk del të flasësh me demokratët, t’u flasësh për masakrën zgjedhore.”

Lulzim Basha: “Unë kam dalë dhe do të dal të flas me demokratët, por nuk dal për t’i hedhur benzinë zjarrit.”

Ndërkohë, mbledhja e grupit ka përfunduar prej disa minutash tashmë. Në këtë mbledhje, Basha u ka kërkuar deputetëve që të takohen me qytetarët për shqetësimet e tyre. Mes të tjerash, kreu i PD  u ka kërkuar deputetëve që të marrin informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për “masakrën zgjedhore” të 25 prillit.

Basha deputetëve: Bëhuni zëri i problemeve të qytetarëve. Zbrisni në zonat tuaja dhe bëni publike shqetësimet e tyre. Rritja e çmimeve është skandaloze në kushtet e një varfërie që ka përfshirë shumicën dërrmuese të qytetarëve

Basha deputetëve : Merrni informacion pranë prokurorive për ecurinë e hetimeve për masakrën zgjedhore të 25 prillit. Duhet bërë transparencë e procesit hetimor që po zvarritet me urdhra politik dhe ndjekur në çdo hallkë të gjyqësorit dhe jo vetëm. S’mund të pretendohet për drejtesi të pavarur përsa kohë nuk ndëshkon dhunuesit e procesit zgjedhor./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!