Në mbledhjen e tretë të Komitetit Kombëtar për Rindërimin, Kryeministri Rama deklaroi se objektivi është që të gjithë banorët në zonat rurale brenda 2020 të futen në shtëpitë e reja. Ndërsa ministri Bledi Çuçi u shpreh se aktualisht janë mbi 10 mijë banorë, që Vitin e Ri do e kalojnë në çadra.
Me këtë premtim për zonat e dëmtuara, kryeministri Edi Rama tregoi objektivin e parë të qeverisë në drejtim të Rindërtimit.
“Objektivi është që brenda 2020 të gjitha ata që sot jetojnë në fshat që për arsye legjitime nuk janë spostuar në sistemin e qerave në zonat urbane dhe thjeshtë kanë kërkuar një çadër dimërore në oborret e tyre duhet të futen në shtëpi të reja, asnjë nuk mundet dot ta lejojmë ta lëmë që të kalojë vitin e ri 2021 në çadër”, tha Rama.
Me shpejtësi do të do të veprohet edhe me shkollat dhe spitalet por pikëpyetjen se çfarë do të ndodh me banorët që janë të detyruar që në datën 3 janar të lënë hotelet, nuk e sqaroi asnjë zyrtar i pranishëm në mbledhjen e tretë të Komitetit Kombëtar për Rindërtimin. Ministri Bledi Cuçi bëri me dije se aktualisht në hotele janë mbi 3 mijë persona, ndërsa në çadra shifra është disa herë më e madhe.
Drejtuesit e fondacioneve, siç duket nuk duan të tregohen fjalëshumë, ndryshe nga kryeministri Edi Rama.
Qeveria ende nuk ka publikuar një draft paraprak për dëmet që ka shkaktuar tërmeti por koston që do të ketë rindërtimi. Kjo tha ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj do të ndodh brenda datës 15 janar, ndërkohë që qeveria do të vijojë të mbledh donacione, që deri më tani kanë shkuar në 65 milionë lekë./abcnews.al